Protesta kundër Speciales, Jashari: Presim pjesëmarrje të fuqishme – t’i shprehim kundërshtitë për padrejtësitë ndaj ish krerëve të UÇK-së

Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, në një intervistë për Gazeta Blic, bëri thirrje tek të gjithë, pa dallim, që t’u bashkohen në këtë protestë, për të shprehur kundërshtimet ndaj padrejtësive ndaj ish krerëve të UÇK-së dhe luftës së lavdishme të kësaj ushtrie.

“Ne pa dallim ju kemi bërë thirrje që të marrin pjesë në protestë, të shprehin kundërshtimin ndaj padrejtësisë që po i bëhet vendit, kombit e mbi të gjitha luftës së UÇK-së. Dhe së bashkë ne kemi thirrur protestë të enjten në ora 17:00, ku do të shprehim qëndrimet dhe kundërshtimet tona dhe janë të ftuar të gjithë pa dallim. E them këtë pa dallim sepse lufta e UÇK-së secili qytetar që jeton i lirë sot në Kosovë, është vlerë e secilit qytetar dhe po preket në këtë vlerë dhe në luftën e lavdishme të UÇK-së dhe mendoj se institucionet, qytetarët, që jetojnë të lirë, kanë obligim të shprehin kundërshtimin ndaj kësaj lufte dhe krerëve të saj që gjenden atje”, tha ai.

Jashari theksoi se presin pjesëmarrje të fuqishme dhe se mobilizimi është i mjaftueshëm deri tani.

“Besojmë që në bazë të rezultateve dhe analizave, që jemi në kontakt me organet tona, këshillin drejtues dhe degëve që i kemi në çdo komunë, mobilizimi është i mirë, i mjaftueshëm dhe mendoj se pjesëmarrja do të jetë e fuqishme dhe duhet t’u tregojmë të gjithë atyre që nuk ia duan të mirën vendit dhe në veçanti luftës së UÇK-së, t’iu tregojmë se kjo luftë ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme për të ardhur deri te liria dhe si të gjithë duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ia japim vendin meritor”, theksoi ai për Gazeta Blic.

Por, çka presin nga kjo protestë?

Jashari potencoi se do t’i japin mundësi kundërshtive për këtë padrejtësi që po ndodhë, dhe sugjerim për krerët e institucioneve që të jenë më aktiv dhe t’i kryejnë obligimet e tyre.

“Mendoj se do t’i japim edhe mundësi kundërshtive tona të drejta se po ndodh padrejtësi ndaj krerëve dhe jo vetëm ndaj atyre por edhe ndaj luftës së UÇK-së dhe po ashtu sugjerim edhe krerëve të institucioneve tona që të jenë më aktiv dhe që t’i kryejnë obligimet sepse kanë obligim moral, njerëzor dhe kombëtar dhe ta çmojnë rrugën e gjatë plot sakrifica që kemi ardhur deri këtu, me mund, me luftë, me sakrificë dhe mendoj se në radhë të parë duhet ta çmojnë vlerën. Dhe vlerë e këtij vendi janë edhe invalidët, familjet e dëshmorëve, veteranët dhe të gjithë ata që kanë bërë diçka për të arritur deri këtu”, deklaroi Xhavit Jashari./Gazeta Blic/