Al-Nassr dhe Ronaldo “hedhin grepat” për sulmuesin anglez, Marseille “ngre murin”

Era e Lindjes po fryn mbi Olympique Marseille, në veçanti mbi një nga lojtarët e saj. Klubet arabe prej kohësh ndjekin me vëmendje zhvillimet në futbollin europian, të gatshëm të investojnë shuma të mëdha për të afruar lojtarë me vlera në kampionatin e tyre.

Ky është rasti i Al-Nassr të Cristiano Ronaldos, që sipas raporteve po shikon nga Ligue 1 për të përforcuar repartin ofensiv, në krah të yllit portugez. Pas transferimit të João Félix, i bindur pikërisht nga CR7 për t’u bashkuar me të në Arabinë Saudite, vëmendja duket të jetë zhvendosur te një tjetër lojtar i skuadrës së Roberto De Zerbi.

Sipas “Marca”, ish-lojtari i Real Madridit (Ronaldo) dhe vetë klubi saudit janë shumë të interesuar për Mason Greenwood, në funksion të sezonit të ardhshëm. Profili i sulmuesit anglez shihet me shumë simpati nga drejtuesit, të cilët kërkojnë të krijojnë një repart ofensiv të frikshëm për sezonin tjetër.

Nga ana tjetër, Olympique Marseille nuk ka asnjë synim për ta shitur lojtarin në fjalë në këtë merkato verore. Sipas “Footmercato”, edhe vetë Greenwood nuk është i prirur të nisë një aventurë të re në Arabinë Saudite. Përkundrazi, ai duket i kënaqur që do të vazhdojë të veshë fanellën bardhekaltër, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm.

The post Al-Nassr dhe Ronaldo “hedhin grepat” për sulmuesin anglez, Marseille “ngre murin” appeared first on Telesport.