Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka cilësuar të papranueshme dhe cenim të respektit të ndërsjellë thirrjet antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Rumani.
Përmes një deklarate për media, Osmani ka thënë se Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë.
“Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane. Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër. Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”, ka thënë Osmani.
Tutje, ajo ka kritikuar zyrtarët më të lartë të Shkupit për mosreagim ndaj siç është shprehur ‘kësaj gjuhe urrejtëse dhe përjashtuese’.
“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane. Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”, ka theksuar ajo.
The post Osmani: Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme appeared first on Kosovapost.net.