Real Madridi ka vepruar me shumë parashikim në këtë merkato. Klubi i presidentit Florentino Perez, përveçse ka vendosur të besojë te një trajner i ri si Xabi Alonso, ka realizuar disa operacione që në fillim të qershorit për ta përgatitur skuadrën, e cila do të merrte pjesë në Kupën e Botës për Klube. Qëllimi ishte që trajneri t’i kishte në dispozicion përforcimet e reja për turneun që u zhvillua në SHBA muajin e kaluar.
Në këtë kuadër u konfirmuan me radhë Dean Huijsen, Trent Alexander-Arnold dhe Franco Mastantuono, i cili do t’u bashkohet shokëve të skuadrës më 14 gusht. Në mbrojtje, ndërkohë, është afruar edhe Álvaro Carreras, për të përforcuar krahun e majtë.
Por, sipas drejtuesve të klubit dhe vetë presidentit Perez, skuadra tashmë konsiderohet e kompletuar. Sipas raportimit të “Cadena COPE”, nuk do të ketë më asnjë afrime gjatë kësaj vere, edhe pse vetë trajneri Xabi Alonso kishte kërkuar disa përforcime shtesë në mesfushë, sektorin më kritik të lojës.
Ky është një vendim që shkon në kundërshtim me tendencën e përgjithshme të klubeve që, sidomos në ditët e fundit të gushtit, bëjnë lëvizje të shumta në merkato. Megjithatë jo Real Madridi, i cili ka vendosur të veprojë kohë përpara, duke krijuar tashmë një grup të plotë, të cilin Xabi Alonso mund ta formësojë që nga fillimi për ta përballuar në mënyrën më të mirë sezonin e ardhshëm.
The post Xabi Alonso kërkon përforcime në mesfushë, por klubi ia ka “mbyllur rubinetin”… appeared first on Telesport.