“Sanduiç” mes PSG dhe Chevalieri, çfarë e pret Donnarumma? “Fërkon duart” Manchester United

Cila do të jetë e ardhmja e Gianluigi Donnarumma? Portieri i kombëtares italiane është gjithnjë e më pranë largimit nga PSG gjatë kësaj merkatoje vere. Klubi francez ka vendosur të investojë te portieri i Lille, Lucas Chevalier, për sezonin e ardhshëm, duke sinjalizuar qartë një ndryshim kursi dhe, rrjedhimisht, largimin e mundshëm të ish-portierit të Milanit.

Donnarumma, lindur në vitin 1999, është tashmë i informuar për vendimin e klubit dhe do t’i duhet të gjejë një destinacion të ri. Nuk është çudi që një portier i nivelit të tij ngjall interes në shumë klube të mëdha europiane.

Sipas “Teamtalk”, një prej tyre është pikërisht Manchester United, që po përgatitet për një ristrukturim të thellë të skuadrës nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim. Donnarumma shihet si një element ideal për të forcuar portën e “Djajve të Kuq”.

Për momentin nuk ka negociata të hapura, por interesi është real. Mbetet për t’u parë nëse javët e ardhshme do të sjellin lëvizje konkrete. Protagonist absolut në fitoren e Champions League nën drejtimin e Luis Enrique, italiani ka qenë një nga shtyllat e PSG-së në katër sezonet e fundit.

Gjatë kësaj kohe, ai ka zhvilluar 161 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke pësuar 156 gola. Bilanc që konfirmon stabilitetin dhe rëndësinë e tij për klubin parizien. Tashmë, megjithatë, ndryshimi duket i pashmangshëm dhe një kapitull i ri mund të hapet për Gigio në Premier League.

The post “Sanduiç” mes PSG dhe Chevalieri, çfarë e pret Donnarumma? “Fërkon duart” Manchester United appeared first on Telesport.