Amorim: Të drejtosh Manchester United, si të shkosh në përleshje me duart e lidhura pas shpine…

Rúben Amorim, trajneri i Manchester United, ka luftuar kundër gjigantëve, erërave dhe dallgëve për ta mbajtur ekipin e tij në lojë. Megjithatë, pas një stuhie zakonisht vjen qetësia, portugezi është i sigurt që ky sezon do të jetë ndryshe, edhe pse ka ende gjëra për të përmirësuar.

Njëra prej tyre është situata e Garnacho. Argjentinasi duket se ka një këmbë jashtë klubit, edhe pse ende nuk është marrë vendimi përfundimtar: “Është një djalë shumë i talentuar, por ndonjëherë gjërat thjesht nuk funksionojnë. Nuk mund ta shpjegosh saktësisht pse. Kam ndjesinë që Garnacho kërkon diçka ndryshe, një drejtim tjetër. Dhe e kuptoj këtë. Nuk është problem. Ndonjëherë përshtatesh me një lojtar, ke lidhje me të. Herë të tjera kërkon një sfidë të re”, – komentoi portugezi për “The Times”.

Situata e skuadrës nga “Old Trafford” nuk është e vetmja që ka ngritur pikëpyetje: “Gjatë sezonit të kaluar kam pasur atë ndjesinë e frustrimit që nuk mund të bëja asgjë, por e pranova ofertën. Të stërvitësh Manchester United është si të shkosh në një përleshje me duart e lidhura pas shpine. Tani jemi në një situatë më të mirë, po fillojmë një sezon të ri. Më janë dashur pesë vite për ta zgjedhur këtë klub, ndaj nuk dua të dështoj. Ky është i vetmi presion që kam. Pati disa momente sezonin e kaluar që ishin vërtet të vështira për mua. Jo sepse nuk dija çfarë të bëja për ta ndryshuar situatën, por sepse ndihesha sikur po zhgënjeja gjithë këta njerëz”.

Fjalët e portugezit kanë një kuptim të veçantë, sidomos duke marrë parasysh të kaluarën e tij: “Te Sporting thanë se do të largohesha për tre muaj. Thanë se kisha 3% shanse për ta fituar një titull me Sporting. Ishte e njëjta gjë. E di që presioni është ndryshe, por unë me të vërtetë besoj në këtë mision që kam marrë përsipër. Dhe mos harroni, nuk më pëlqen t’i ndërroj klubet shpesh. Më pëlqen të lidhem me njerëzit dhe të ecim përpara bashkë. Gjatë viteve të fundit kam pritur klubin e duhur. E di që tingëllon çmenduri, por unë e zgjodha këtë klub. E ndjeva. Derisa të mundem, do të qëndroj këtu. Dua të qëndroj 20 vite. Ky është objektivi im dhe me të vërtetë besoj se diçka do të ndodhë”.

 

The post Amorim: Të drejtosh Manchester United, si të shkosh në përleshje me duart e lidhura pas shpine… appeared first on Telesport.