Gërvalla harron dinjitetit dhe pagat e punëtoreve të RTK-së, sot fyen mediat tjera dhe flet për veten

Drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, i cili dje ka bërë përpjekje për t`i mësuar punëtorët e RTK-së se si të punojnë pa paga, sot ka shkruar një status tjetër.

Madje, ai sot nuk ka treguar se si janë zgjuar 700 punëtorët e RTK-së, që ende nuk i kanë marrë pagat.

Aktivisti i zellshëm i VV-së sot ka zgjedhur t`i kritikoi mediat që po shkruajnë për te.

Ndonëse në karrierën e tij nuk njihet për gjë tjetër, përveç si aktivist i VV-së dhe lexues i lajmeve ndërkombëtare në RTK, Gërvalla pretendon se ka bërë gjera të mëdha në jetë.

“Per Nacionalen që ofendon vetë kuptimin e fjalës së bukur shqipe “Kombëtare”, per Paparacin&Periskopin që ju flet vetë emërtimi dhe sejmenet e tyre jashtë e brenda RTK-së. Në një kohë kur shpifja është bërë mjet i lehtë për të ndërtuar imazhe të rreme e për të shkatërruar reputacione të ndershme, unë si Drejtor programor në TV zgjedh të mos u përgjigjem me të njëjtën monedhë. Jo nga frika, se ju e dini sa ua kam frikën, por nga bindja se e vërteta nuk ka nevojë për britma, ndërsa gënjeshtra nuk ngopet asnjëherë me baltë e mbetje. Ka portale e zëra që veprojnë jo si pasqyrë e realitetit, por si mjegull e qëllimshme që synon të turbullojë dritën e qartë të së vërtetës. Ata që fyejnë, etiketojnë e shpifin në mënyrë të koordinuar nuk më shqetësojnë për vetë faktin se unë nuk kam asgjë për të fshehur. Mua nuk më ndjekin hijet e aferave, as të korrupsionit, as të pabesisë. Ndaj, sulmet ndaj meje janë thjesht një pasqyrim i errësirës së tyre të brendshme”, ka shkruar ai.

Në përpjekjen e tij për të treguar se kush është, ai ka cituar edhe një filozof të lashtë.

“Filozofi i lashtë Epikteti thoshte: “Nuk janë gjërat që na shqetësojnë, por mendimet tona për to.” Unë nuk lejoj që shpifjet e tyre të formësojnë as mendimin tim për veten, as rrugëtimin tim. Sepse ai që ecën drejt, edhe kur rruga përbaltet, nuk e ndot dot drejtimin e vet. Do të vazhdoj të jem aty ku gjithmonë kam qenë: në shërbim të së mirës publike, me integritet të palëkundur. Le të më matin me veprat, jo me fjalët që sajojnë ata/ato që nuk kanë vetë vepra për të treguar. Sepse në fund, koha është gjyqtari më i drejtë. Dhe koha, ndryshe nga portalet e njëanshme, e gazetarët e kartelës mediatike nuk merr urdhra nga askush”, ka shkruar ai.