Armando Broja është padyshim një nga talentet më të spikatura të futbollit, që ka prodhuar AND shqiptare ndër vite. Ai shihet si yll i madh i kombëtares sonë kuqezi, teksa ka arritur të tërheqë vëmendjen e klubeve të mëdha falë potencialit të tij të jashtëzakonshëm dhe paraqitjeve të shkëlqyera në moshë të re. Megjithatë, rruga e tij ka qenë e ndërlikuar dhe e vështirë për shkak të dëmtimeve serioze që ia kanë kufizuar ndjeshëm progresin në dy vitet e fundit.
Çfarë e bën Brojën një lojtar të veçantë? Së pari, niveli teknik dhe fizik i tij është mjaft i lartë për një sulmues të moshës që ka, 23 vjeç. Ai posedon një kombinim të mirë të shpejtësisë, forcës dhe aftësisë për të shënuar gola në mënyra të ndryshme, si me kokë, ashtu edhe me këmbë. Kjo e bën një “armë” shumë të rrezikshme në zonën kundërshtare. Gjithashtu, rritja në akademinë e Chelsea, një prej më të mirave në botë, tregon se Broja i ka marrë në mënyrë tejet profesionale të gjitha mësimet dhe “latimet” e futbollit. Nisur edhe nga ky fakt, shqiptari i rritur në Angli ka qenë në radarin e klubeve të mëdha për cilësitë e tij.
Një nga faktorët më të rëndësishëm që e ka penguar Brojën të arrijë potencialin e plotë është fakti se ka rreth dy vite pa shënuar gol në kompeticionet ku luan. Për një sulmues, ky është një sinjal shqetësues. Gjithashtu, dëmtimet serioze i kanë ndalur ritmin dhe ia kanë kufizuar mundësitë për të marrë minuta të vazhdueshme loje, çka është kyçe për zhvillimin dhe konsolidimin e një futbollisti të ri. Në këtë pikë, shumë nga talentet e tjera shqiptare që shënojnë gola në Europë nuk kanë arritur as të luajnë në homologun e “Championship”, aq më pak të Premier League, çka flet qartë për nivelin që Broja mund të ketë.
Që Burnley të investojë 25 milionë euro për Brojën, edhe pse ai nuk ka shënuar gol prej një kohe të gjatë, tregon besimin që anglezët kanë ende te cilësitë e tij. Edhe në këtë rast po flasim për një klub të Premier League. Ky është tregues i qartë se sa shumë potencial shohin tek ai, edhe pse realisht është një lojtar që kërkon vazshdimësi loje dhe përmirësim. Një investim i tillë është gjithmonë “bast” i rrezikshëm, sidomos për një lojtar që ka kaluar periudha të vështira nga dëmtimet.
Në situata të tilla të futbollit modern, përtej talentit fizik dhe teknik, pjekuria mendore është çelësi i suksesit. Në rastin e Brojës është shumë e rëndësishme që ai të ketë qasje profesionale, të përkushtohet maksimalisht në trajnim dhe rikuperim, të fokusohet vetëm te futbolli. Kjo do ta ndihmojë të kapërcejë momentet e vështira dhe të ringrihet në nivelet që të gjithë ne presim ende prej tij. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë për fat të keq mund të mbetet “na ishte njëherë”, një talent i madh, i cili nuk e arriti dot atë që pritej prej tij.
Armando Broja është në një pikë kritike të karrierës së tij. Nëse arrin të kapërcejë dëmtimet dhe të gjejë pjekurinë mendore që kërkon futbolli i nivelit të lartë, ai mund të bëhet një nga lojtarët më të mirë të historisë së futbollit shqiptar. Burnley duhet parë si “treni i fundit” për të. Ky është momenti që të tregojë përkushtimin dhe forcën e vullnetit. Në të kundërt ekziston rreziku që një prej talenteve më premtuese shqiptare të zhduket pa lënë gjurmë në futbollin ndërkombëtar. Duke i uruar më të mirën, në funksion edhe të kombëtares kuqezi, le t’i mbajmë “gishtat e kryqëzuar” për fatin e tij!
The post Nga Chelsea te Burnley. “Treni i fundit” për Brojën, teksa tashmë mund të humbasë gjithçka… appeared first on Telesport.