Idhujt, kur u ndje profesionist, adhurimi i Premier League dhe transferimi i papritur te Napoli…; Rrahmani rrëfehet në 360 gradë

Në vijim të bashkëbisedimit me tifozët në “Castel di Sangro”, Amir Rrahmani u pyet për kujtimet më të veçanta në lidhje me dy titujt kampion te Napoli: “Në vitin 2023, kur ishim +15 pikë, ishte hera e parë që e ndienim titullin kaq afër, por kishim frikë se mos e humbisnim. Për titullin e dytë, ndeshja me Parmën ishte dramatike, më pas kundër Cagliarit dhe fituam”.

Për komplimentin më të bukur që ka marrë, tha: “Më kanë thënë se kam fituar dy tituj si Maradona. Është diçka shumë e rëndësishme për mua”.

Ai pranoi se si fëmijë ëndërronte Premier League: “Për mua ishte kampionati më i mirë në botë, por tani jam këtu dhe i përqendruar te Napoli”.

Rrahmani tregoi edhe si ndodhi transferimi nga Verona te Napoli: “Kisha pak kohë që isha te Verona, por pas dy-tri ndeshjesh, Giuntoli telefonoi agjentin tim dhe i tha se donte të më merrte te Napoli. Nuk e besoja, por në janar gjithçka u konfirmua”.

Këshillat që jep për të rinjtë, të cilët duan të bëhen futbollistë: “Duhet të punojnë çdo ditë, të mos dorëzohen kurrë, të japin maksimumin edhe kur nuk kanë dëshirë për stërvitje, madje edhe kur janë të lodhur”.

Pyetjes për muzikën në dhomat e zhveshjes iu përgjigj me buzëqeshje: “Që kur ka ardhur Spinazzola, është ai që kujdeset për muzikën. Varet kush vendos muzikë të mirë. Mendoj se Leo zgjedh më të mirën, hitet e disa viteve më parë”.

Lidhur me jetën në qytetin e Napolit, Rrahmani shtoi: “Djemtë ende nuk e kanë parë të plotë qytetin. Unë mbërrita në kohën e Covid-it, por gjithsesi arrita ta njihja qytetin dhe është vërtet shumë i bukur”.

Kur u ndie për herë të parë si profesionist: “Në moshën 17-vjeçare, kur luaja në Shqipëri, kuptova se mund të bëhesha profesionist”.

Ndërsa për marrëdhëniet me bashkëlojtarët, Rrahmani theksoi: “Më përpara kaloja shumë kohë me Eljif Elmas, me të kam pasur lidhjen më të afërt (qesh)”.

Rreth rrjeteve sociale u shpreh me ndjeshmëri: “Më pëlqejnë, por ka shumë njerëz që komentojnë pa u kontrolluar. Nuk mund të përdoren shumë më”.

Çfarë e relakson pas një ndeshjeje: “Të qëndroj në shtëpi me të dashurën dhe familjen time, të fle sa më herët të jetë e mundur”.

Momenti më i bukur në karrierë: “Tani, pikërisht këtu në këtë moment (duke falënderuar tifozët).

Për idhujt e fëmijërisë, Rrahmani zbuloi: “Kam ndjekur Thierry Henry dhe Thomas Vermaelen, me siguri e njihni këtë të fundit”.

The post Idhujt, kur u ndje profesionist, adhurimi i Premier League dhe transferimi i papritur te Napoli…; Rrahmani rrëfehet në 360 gradë appeared first on Telesport.