Ish-futbollisti Robinho, i cili së fundi mbushi një vit qëndrim në burgun e Tremembé në Brazil, nuk po humbet kohë në kushtet e tij të reja si i izoluar. Në moshën 41-vjeçare, braziliani që ka luajtur për Santos, Manchester City, Milanin dhe Real Madrid, është dënuar me 9 vite burg për përdhunimin në grup, në Itali, në vitin 2013, të një shtetaseje shqiptare në një klub nate të Milanos. Akuzë të cilën e ka mohuar gjithmonë, por dënimin nuk ka mundur ta shmangë.
Tani, hakeri Walter Delgatti (dënuar me 8 vite e 3 muaj për ndërhyrje në sistemet e Këshillit Kombëtar të Drejtësisë), i cili ndan burgun me ish-futbollistin, iu ka treguar disa të burgosurve të tjerë se ata do të hapin një kompani bastesh sapo të dalin nga burgu, duke shfrytëzuar famën e Robinhos dhe ekspertizën teknologjike të Delgatti.
Delgatti dhe Robinho, me këtë të fundit që besohet të jetë ideatori i projektit, ndodhen në qeli të ndara në Tremembé, por sipas mediave lokale kalojnë shumë kohë së bashku duke marrë diell në oborrin e burgut. Robinho po përpiqet të kalojë në regjim gjysmë të hapur, por nuk ka arritur të anulojë dënimin nga gjykatat italiane.
Ndërkohë, ai fokusohet te sjellja e tij shembullore, marrëdhëniet e mira me të tjerët në burg dhe aktivitetet e ndryshme: rregullon televizorë dhe radio falë një kursi 600 orësh në elektronikë, është pjesë e klubit të leximit, kujdeset për kopshtin dhe ka përfunduar 10 modulet e programit të edukimit për punë dhe qytetari, me shpresën për të përfituar ulje dënimi apo kalim në regjim gjysmë të hapur. Për çdo 12 orë pune përfiton një ditë zbritje nga burgu.
Ish-futbollisti qëndron në një qeli prej 8 metrash katrorë me një të burgosur tjetër 22-vjeçar, i dënuar për nxitje të vetëvrasjes ose automutilimit. Ndërkohë që pret një vendim të ri, Robinho pranon vizita të shpeshta nga bashkëshortja dhe tre fëmijët, veçanërisht djali më i madh, Robson Jr., 17 vjeç, që ka debutuar tashmë me Santosin. Në burg luante futboll, por me kalimin e kohës e ka lënë aktivitetin fizik. Sipas zërave pranë familjes, po tregon shenja të lodhjes psikologjike, deri në atë pikë sa pastori i tij privat e vizitoi në qendrën ekumenike.
Ai mund të pranojë vizita vetëm nga familjarët e shkallës së parë: prindërit, fëmijët dhe bashkëshortja. Çfarë mund të marrë në burg nga familjarët? Ushqime, ëmbëlsira, mish, perime, pije freskuese, ujëra, sallata; gjithashtu rroba, lojëra si shah ose dama, materiale shkrimi dhe revista apo libra jo pornografikë. Avokati i tij, Mario Rosso, thotë: “E mban kokën ulur dhe ecën me qetësi, është një i burgosur shembullor dhe nuk ka pasur probleme me të tjerët, qëndron i zënë me aktivitete”.
The post Robinho nis biznesin nga brenda burgut, ideon kompani bastesh me hakerin e njohur appeared first on Telesport.