Prokuroria Themelore në Mitrovicë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për përfundimin e hetimeve të nisura lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës, i cili më 30 korrik kishte pretenduar për praninë e telave elektrikë të zhytur në ujë në Liqenin e Ujmanit.
Sipas komunikatës së përbashkët, deklarata e kryetarit të shoqatës ishte bërë gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje. Ai kishte thënë se telat nëse aktivizohen mund të përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.
Policia e Kosovës ka intervistuar atë në cilësinë e dëshmitarit dhe ka pranuar gjithashtu një video në lidhje me rastin. Pas kësaj, njësia për kontrollin kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren dhe ka konstatuar se telat e përmendur nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik.
Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se më parë nuk kanë pranuar ndonjë raportim për ndonjë rast të ngjashëm.
Pas analizimit të të gjitha provave dhe informatave, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të mos shqetësohen, duke theksuar se çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal. Njësitë përkatëse policore vazhdojnë patrullimet e rregullta në Liqenin e Ujmanit për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
The post Zbulohet prania e telave në Liqenin e Ujmanit, s’ka rrezik për qytetarët appeared first on Kosovapost.net.