Milani në rrugën e duhur? Allegri: Do ta shohim në fund, na presin edhe momente vështirësie

Hapat e parë të Milanit ndaj Liverpool-it, Arsenalit dhe Perth Glory, gjatë turneut aziatik, kanë dhënë sinjale premtuese për sezonin që po afrohet. Start që mund të nxjerrë një buzëqeshje të madhe në fytyrën e Massimiliano Allegrit, i cili ka nisur tashmë të transmetojë energji pozitive.

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, trajneri i kuqezinjve nuk ka dashur ta ulë nivelin e përqendrimit përballë angazhimeve që e presin ekipin, duke nisur me sfidën ndaj Barit, vetëm dy ditë pas festës së Ferragostos: “E para ndeshje që do të jetë ‘brenda ose jashtë’ është ajo e Kupës së Italisë kundër Barit, një javë më pas do të kemi debutimin në kampionat. Duhet të jemi gati”.

Deri tani, aventura me kuqezinjtë po ecën sipas parashikimeve të teknikut nga Livorno: “Djemtë po punojnë mirë, me seriozitet dhe entuziazëm, çka është gjëja më e rëndësishme. Ndeshja ndaj Perth Glory ishte e fundit e këtij turneu dhe zakonisht, pas shumë ditësh në udhëtim, ndeshja e fundit nuk merret me shumë seriozitet. Sidoqoftë, skuadra reagoi shumë mirë, e mori me qasje serioze dhe ishte një mbrëmje e bukur për sportin. Këtu në Australi ku kemi shumë tifozë, jemi të kënaqur”.

Edhe vetë tifozët kuqezinj po nisin të ndihen optimistë për sezonin e ri, sepse duket sikur rruga është ajo e duhura: “Do ta shohim kur të mbërrijmë në fund. Duhet të ecim gjithmonë hap pas hapi, të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, ditë pas dite. Duhet të punojmë me qetësi dhe me shumë ekuilibër, pa eufori kur gjërat shkojnë mirë, sepse gjatë një sezoni të gjatë do të ketë me siguri edhe momente vështirësie”.

The post Milani në rrugën e duhur? Allegri: Do ta shohim në fund, na presin edhe momente vështirësie appeared first on Telesport.