Tetova largon euforinë: Ta harrojmë avantazhin 2-0, Dinamo Minsk do të paraqitet krejt ndryshe

Në prag të sfidës vendimtare ndaj Dinamo Minsk, ndeshja e kthimit e raundit të dytë kualifikues të “Conference League”, që do të luhet sonte prej orës 21:00 në “Egnatia Arena”, trajneri Edlir Tetova ka folur para mediave, duke dhënë mesazhe të qarta: nuk ka vend për eufori, pavarësisht fitores 2-0 në takimin e parë në transfertë.

Tetova vlerësoi përgatitjen e skuadrës së tij për ballafaqimin e parë në Hungari dhe rikuperimin e elementëve të rëndësishëm të formacionit: “Mendoj se qe një angazhim i mirë i lojtarëve, i gjithë klubit, duke shkuar disa ditë para ndeshjes në Hungari. Kishim kohë përshtatje më të mirë. Sigurisht dhe kthimi i lojtarëve të dëmtuar dhe i Lushkjes (vuajti kartonin e kuq) ndikuan pozitivisht në lojën tonë. E plotësuam grupin. Mendoj se ndeshja e parë ndaj bjellorusëve ishte e favorshme për ne, bëmë detyrën dhe arritëm atë që donim”.

Megjithatë, trajneri i rrogozhinasve nuk la pa përmendur humbjen e thellë ndaj Breidablik dhe ndikimin që ajo pati emocionalisht te skuadra: “Mendoj që pas një disfatës së thellë në Islandë, madje gjej dhe rastin t’u kërkoj falje tifozëve për atë ndeshje, skuadra e godit psikologjikisht. Pra, pas asaj disfate të hidhur nuk është punuar më shumë në fushë. Në fakt, zgjodhëm të punojmë më shumë nga ana psikologjike me lojtarët. Për cilindo prej nesh ishte diçka shokuese, sepse të pësosh 5 gola në një ndeshje, normalisht që dhemb shumë. Megjithatë më pëlqeu reagimi i skuadrës në ndeshjen pasardhëse, ndaj Dinamo Minsk”.

Gjendja e kampionëve të Shqipërisë para kthimit me Dinamo Minsk duket pozitive, me rikthime të rëndësishme: “Lushkja u kthye nga kartoni i kuq, siç e patë në Hungari. Ndreca ka vetëm dy ditë që stërvitet me ekipin. Vetëm Melo është jashtë kësaj ndeshjeje, vuan dëmtimin akoma, por mendoj se kështu siç jemi, jemi në rregull”.

Trajneri Tetova ka një mesazh të qartë për grupin: ta harrojë rezultatin e ndeshjes së parë dhe të mos e nënvlerësojnë Dinamo Minsk, që sipas tij do të paraqitet krejt ndryshe në fushë:
“Dinamo Minsk? Nuk është fytyra e asaj skuadrës që ne pamë atje. Normalisht është skuadër me shumë cilësi. Ato nuk kanë asgjë për të humbur në ndeshjen e dytë, kështu që do t’i marrim masat tona.”

Duke e mbyllur prononcimin me një qëndrim të vendosur dhe profesional, Tetova theksoi rëndësinë e përqendrimit total: “Mendoj se nga një dështim super i madh nuk ka vend për eufori. Vijmë nga një ndeshje e freskët ku na ndodhi ajo që ndodhi. Jemi shumë të fokusuar, që nga unë i pari. Mendoj vetëm ndeshjen e kthimit ndaj Dinamo Minsk, asgjë tjetër mbrapa. Çdo fokus është te ndeshja e radhës”.

The post Tetova largon euforinë: Ta harrojmë avantazhin 2-0, Dinamo Minsk do të paraqitet krejt ndryshe appeared first on Telesport.