Robert Lewandowski është 36 vjeç, por pavarësisht moshës së tij, vazhdon të ketë një reputacion të madh në nivel ndërkombëtar. Dëshmia më e mirë për këtë është fakti se, sipas asaj që mëson “Mundo Deportivo”, disa klube të Ligës Saudite po e ndjekin me vëmendje situatën e tij, madje kanë kontaktuar tashmë me përfaqësuesit e polakut për të mësuar gatishmërinë e tij për një ndryshim destinacioni që këtë verë.
Sulmuesi veteran ka edhe një vit kontratë me Barcelonën dhe, sipas rrethit të tij më të afërt, nuk ka asnjë qëllim për të lëvizur. Robert ndihet shumë mirë te klubi blaugrana, bashkë me familjen e tij janë përshtatur plotësisht me jetën e përditshme në kryeqytetin katalanas. Për më tepër, sezoni i fundit e përforcon pozicionin e tij, pasi shënoi plot 42 gola. Mund të kishte shënuar edhe më shumë, nëse nuk do të ishte dëmtuar në fund të sezonit.
Megjithatë, disa faktorë e shqetësojnë klubin katalanas. Së pari, fuqia e jashtëzakonshme ekonomike e klubeve saudite, të afta për të tunduar lojtarë të rinj dhe veteranë. Në rastin e Lewandowskit ka rëndësi fakti që i ka mbetur vetëm një vit kontratë me Barçën, ndërsa klubet arabe mund t’i ofrojnë 3 ose 4 vite me një pagë marramendëse.
Duke parë se sa mirë kujdeset për veten, nuk do të ishte një opsion i çuditshëm. Një tjetër yll që e mban trupin në gjendje të jashtëzakonshme, Cristiano Ronaldo, është lider i Al Nassr edhe në moshën 40-vjeçare. Ai ka rinovuar së fundmi deri në vitin 2027 dhe do të përfitojë 208 milionë euro në vit, plus 30 milionë të tjera në formë bonusesh.
Për më tepër, liga saudite po fiton gjithnjë e më shumë atraktivitet. Shembulli i fundit është ish-lojtari i Barçës, Joao Félix, i cili në moshën 25-vjeçare nuk i rezistoi tundimit për të fituar shumë para dhe luajtur në një kampionat që po rritet çdo ditë. Mjafton të kujtojmë disa emra të tjerë ‘top’ që tashmë luajnë aty: Benzema, Kanté, Firmino, Mané, Koulibaly, Mahrez, Brozovic, Fabinho, Yannick Carrasco, Wijnaldum, Theo Hernández, Rúben Neves, Kessié, Retegui dhe Bounou, ndër të tjerë.
Një tjetër faktor negativ për Barçën është se merkatoja saudite qëndron e hapur edhe pas datës 1 shtator, kur mbyllet ajo e La Liga-s. Kjo do të thotë që, edhe nëse Barcelona nuk ka më mundësi të afrojë ndonjë lojtar (përveç lojtarëve të lirë), një klub saudit mund të vazhdojë të tundojë ndonjë nga yjet e saj deri më 23 shtator.
Hansi Flick e llogarit titullar Lewandowskin, por sigurisht, për shkak të moshës, logjika tregon se ai do të menaxhohet më me kujdes. Për më tepër, forma e mirë që po tregon Ferran Torres në rolin e sulmuesit të qendrës e ndihmon në këtë drejtim. Po ashtu, në të njëjtin rol mund të aktivizohen këtë sezon edhe Marcus Rashford dhe Dani Olmo, që ka luajtur sezonin e kaluar si “9 fals”.
Në këtë kontekst, Barça është e kënaqur me kontributin që Lewandowski mund të japë ende, por nëse ai do të merrte një ofertë të jashtëzakonshme që i garanton më shumë para dhe më shumë vite kontratë sesa ajo aktuale, atëherë klubi nuk do ta pengonte largimin e tij. Lewandowski ka qenë profesionist shembullor, kujdeset shumë për veten dhe ka dhënë maksimumin, prandaj do të kishte mirëkuptim për një vendim të tillë.
Megjithatë, gjithmonë nëse në këmbim do të vinte një shumë e majme për transferimin e tij, pasi klubet saudite kanë para jo vetëm për lojtarët, por edhe për t’i shkëputur nga klubet e tyre. Robert, përveçse një yll në fushë, është edhe një emër i rëndësishëm mediatik, i kushtoi 45 milionë euro fikse, plus 5 bonuse Barcelonës, kur e bleu nga gjigandët bavarezë.
Gjithsesi, ky skenar saudit do të aktivizohej vetëm nëse Lewandowski do të merrte një ofertë që e bën të rishqyrtojë të ardhmen e tij profesionale dhe personale si lojtar i Barcelonës, diçka që sot për sot duket e vështirë. Megjithatë, në futboll, gjithçka është e mundur…, veçanërisht kur në lojë hyjnë shumë para.
The post Arabët e duan Lewandowskin me çdo kusht, a do ta braktisë polaku Barcelonën? appeared first on Telesport.