Koundé konfirmon akordin për rinovim deri më 2030: Ishte një proces i shpejtë…

Jules Koundé po përgatitet për sezonin e tij të katërt me Barcelonën. Transferimi i tij ishte një kërkesë e fortë e Xavi Hernández, që e donte për ta aktivizuar si qendërmbrojtës, krah Araújos, për të formuar një dyshe thuajse të pathyeshme. Por me kalimin e kohës, uruguajani ka përfunduar në stol, ndërsa francezi është konsoliduar si titullar absolut në krahun e djathtë të mbrojtjes katalanase.

Pavarësisht disa vonesave të tij në stërvitje, që e nervozojnë trajnerin Flick, Koundé mbetet lojtar kyç për skuadrën dhe është i njohur për profesionalizmin e tij. Drejtuesit sportivë blaugrana e konsiderojnë të pazëvendësueshëm, ndaj do të nënshkruajë, sapo të kthehet nga turneu veror, një kontratë të re deri më 30 qershor 2030. “Ishte një proces i shpejtë”, – tha vetë lojtari, i cili u shpreh i lumtur që qëndron në një klub i cili “lufton çdo sezon për trofe.”

Koundé, i cili është i lumtur që përmendet ende për golin në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit, u pyet gjithashtu për situatën e Ter Stegen dhe mundësinë që ai të humbasë shiritin e kapitenit. Francezi pranoi se portieri gjerman po kalon një moment të vështirë, por për çështjen e kapitenit shtoi se “varet nga Flick dhe vendimi i klubit”.

Koundé do ta nisë edhe këtë sezon si mbrojtës i djathtë, por në të ardhmen, sado e vështirë të jetë, nuk përjashton rikthimin në qendër të mbrojtjes: “Asgjë nuk është përfundimtare në futboll. Jam 26 vjeç, por trajneri e di që mund të luaj në të dyja pozicionet”.

Ai foli edhe për ditët e para të Marcus Rashford te Barça: “Është i lumtur. Po ndihet gjithnjë e më rehat. Flet me të gjithë dhe e ndihmoj, sepse flas anglisht. Është pak i mbyllur në vetvete, si unë”.

The post Koundé konfirmon akordin për rinovim deri më 2030: Ishte një proces i shpejtë… appeared first on Telesport.