Çitaku, VV-së: Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike?

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj një postimi të bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilin thuhej se FSK-ja ka shkuar  për herë të parë në veri të vendit.

Ajo e ka cilësuar këtë si propagandë politike të ulët, duke akuzuar LVV-në për mungesë ndjeshmërie ndaj një tragjedie njerëzore.

“Jeni të neveritshëm. A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmëri njerëzore?”, ka shkruar Çitaku në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Ajo ka theksuar se FSK nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një të riu që humbi jetën tragjikisht, duke shtuar se kjo nuk është hera e parë që FSK vepron me dinjitet dhe pa zhurmë në raste të tilla.

“Po aq sa po i retushoni fotografitë për të ndërtuar një narrativë të rreme, po përpiqeni të retushoni edhe historinë. Por nuk do t’ia dilni. Marrë ju qoftë”, shkroi tutje Çitaku.