De Gea: Rinovova për tri vite me Fiorentinën, sepse jam i lumtur këtu

Pas stërvitjes së paradites në “St. George’s Park”, portieri i Fiorentinës, David De Gea, foli për mikrofonat e “FirenzeViola.it” dhe tregoi ndjesitë e tij për fillimin e sezonit të ri, ambientimin dhe projektin me klubin.

Për stërvitjen dhe ambientin anglez: “Po shkon gjithçka shumë mirë. Sot bëmë një seancë të fortë, fillimisht në palestër, pastaj në fushë. Me këtë mot këtu stërvitesh më lehtë sesa në Firence”.

Për atmosferën në skuadër: “Është e vërtetë që ka shumë harmoni mes lojtarëve. Edhe trajneri sjell shumë energji e pozitivitet. Ka ide të qarta dhe skuadra e ka kuptuar menjëherë. Kemi luajtur mirë në miqësore, mezi presim të përballemi me kundërshtarë më të fortë”.

Për rikthimin në Angli dhe sfidën ndaj Manchesterit: “Do jetë një ndeshje shumë speciale për mua. Kam luajtur shumë vite në Angli dhe mezi pres të përballem me skuadra angleze, sidomos me Manchesterin”.

Për portierin e ri, Martinelli: “Është djalë shumë i mirë, punon fort, i pëlqen të mësojë dhe bën pyetje. Ka etje për t’u përmirësuar, është një person i mrekullueshëm”.

Për ndryshimin mes këtij sezoni dhe atij të kaluarit: “Të jesh me ekipin që nga dita e parë është shumë më mirë. Vjet erdha në gusht, ishte shumë nxehtë në Firence. Tani i njoh të gjithë dhe është më e lehtë të përshtatem”.

Për kujtimet nga gjysmëfinalja me Betisin: “Kemi humbur ndaj tyre në gjysmëfinale, por kjo i përket së kaluarës. Tani po stërvitemi që të arrijmë në formën më të mirë për ndeshjen e parë”.

Për kontratën dhe jetën në Firence: “Kam rinovuar për tri vite, sepse jam shumë i lumtur te Fiorentina. Më pëlqejnë tifozët, skuadra dhe qyteti, që është fantastik. Besoj se mund të bëjmë një sezon të madh së bashku”.

Për qetësinë që transmeton: “Është thelbësore për një portier të transmetojë qetësi. Ky është qëllimi im në çdo stërvitje, brenda dhe jashtë fushës. Jam një njeri i qetë dhe dua t’i ndihmoj të gjithë”.

The post De Gea: Rinovova për tri vite me Fiorentinën, sepse jam i lumtur këtu appeared first on Telesport.