Studentët e UP-së zënë vendin e 6 në garën e drejtësisë në Gjermani

Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 6-të në garën prestigjioze ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025”.

 

“Rundet finale të kësaj gare janë mbajtur në ambientet e Gjykatës së Nurembergut (Salla historike Nr.600, ku janë gjykuar përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore) nga data 23-26 Korrik 2025 në Nuremberg të Gjermanisë. Nga 140 ekipe pjesëmarrëse në fazën e shkrimit të memorandumeve, nga fakultete juridike/universitete prestigjioze botërore, vetëm 40 janë kualifikuar për rundet finale me gojë, e në mesin e tyre edhe ekipi i Fakultetit Juridik-UP që është renditur në 6 ekipet me të mira në nivel botëror”, thuhet në njoftimin e Fakultetit Juridik të UP-së.

Po ashtu theksohet se ky sukses i studentëve të Universitetit të Prishtinës është një dëshmi e qartë e përgatitjes akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, duke simuluar praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) përballë një jurie të përbërë nga juristë të njohur botërorë, përfshirë profesorë, prokurorë dhe gjyqtarë.

Ekipi i përfaqësuesve të Fakultetit Juridik të UP-së ishte përbërë nga studentët: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu.

“Nuremberg Moot Court” është në mesin e garave ndërkombëtare me prestigjioze, e që nga viti 2022, pas reformave në Fakultetin Juridik është pjesë e programit të përhershëm dhe financohet nga buxheti i dedikuar për këtë qëllim.

“Me këtë sukses të jashtëzakonshëm të studentëve, dëshmohet se Fakulteti Juridik tashmë ka ndërtuar një traditë të përfaqësimit në forume ndërkombëtare dhe po ndërton një brez të juristëve të së ardhmes” , përfundon njoftimi.

The post Studentët e UP-së zënë vendin e 6 në garën e drejtësisë në Gjermani appeared first on Kosovapost.net.