Juve-Kolo Muani, kontakt i ri me PSG. Formula që ofrojnë bardhezinjtë bllokon gjithçka

Juventusi vazhdon të këmbëngulë për Randal Kolo Muani. Pas pjesës së dytë të sezonit të kaluar të zhvilluar me fanellën bardhezi, sulmuesi francez dëshiron të rikthehet në Torino. Gjithsesi, deri tani nuk është arritur ende marrëveshja me PSG-në për mënyrën e transferimit.

Objektivi i klubit parizien është ta shesë lojtarin me transferim të përhershëm, për të rikuperuar një pjesë të 93 milionë eurove të investuara verën e vitit 2023, kur e morën nga Eintracht Frankfurt. Drejtori sportiv Luis Campos kërkon 50 milionë euro, shifër që mund të zbresë deri në 40 milionë.

Nga ana tjetër, Juventusi nuk ka fuqinë ekonomike për një transferim të tillë dhe ka propozuar huazimin, siç ka qenë edhe ideja që në fillim. PSG nuk e pranon formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, por së fundi ka hapur derën për një huazim me detyrim blerjeje, nëse plotësohen disa kushte të favorshme.

Propozimet e drejtorit të përgjithshëm bardhezi Comolli deri më tani janë konsideruar të pamjaftueshme. Fillimisht u propozua që obligimi të aktivizohej në rast fitimi të kampionatit, më pas u lidh me kualifikimin në Champions League. PSG i ka refuzuar këto kushte, pasi varen nga rezultatet sportive të Juves dhe nuk japin garanci të mjaftueshme.

Vetë lojtari dëshiron fort të rikthehet te Juventusi, por sa do të jetë i gatshëm të presë? Për më tepër, në orët e fundit kanë hyrë në garë klube të tjera: në radhë të parë Chelsea, por edhe Manchester United, që po e shqyrton seriozisht mundësinë për të bërë një ofertë.

Nëse Manchester United arrin ta bindë Kolo Muani, atëherë për Juventusin mund të hapet një pistë e re, ajo që çon te Rasmus Højlund. Sulmuesi danez shihet si i transferueshëm nga “Djajtë e Kuq” dhe mund të huazohet me të drejtë blerjeje, opsion që do t’iu përshtatej më shumë kushteve financiare të klubit italian.

Çfarë është e sigurt, nëse Juventusi e dëshiron me të vërtetë Kolo Muani, duhet të ndryshojë strategji. Deri tani, klubi ka ndjekur logjikën e zëvendësimit rol për rol, si në operacionin Joao Mario–Alberto Costa, por kjo qasje nuk po funksionon.

Sidomos duke pasur parasysh se shitjet e Vlahovic, Miretti dhe Nico Gonzalez po vonohen, Comolli dhe pronarët e klubit do të duhet të bëjnë një përpjekje shtesë në mënyrë që të mos e humbasin sulmuesin francez. Çështja mbetet më e hapur se kurrë, por me kalimin e ditëve, kthimi i Kolo Muani te Juve rrezikon të bëhet gjithnjë e më i vështirë.

The post Juve-Kolo Muani, kontakt i ri me PSG. Formula që ofrojnë bardhezinjtë bllokon gjithçka appeared first on Telesport.