Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dërgojnë 25 ton ndihmë humanitare në Gaza nga ajri

Tre aeroplanë transporti të Forcave Ajrore të Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) sot hodhën 25 ton ndihma humanitare mbi Rripin e Gazës për popullsinë që lufton për mbijetesë për shkak të urisë dhe kequshqyerjes.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed, njoftoi dje se vendi i tij do të rifillonte menjëherë shpërndarjen e ndihmës ajrore, duke thënë se situata humanitare në Gaza kishte arritur në një “fazë kritike dhe të pashembullt”.

Bëhet e ditur Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) lëshuan sot një deklaratë ku thuhej se “një pauzë taktike lokale në aktivitetet ushtarake do të vendoset për qëllime humanitare nga ora 10:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, duke filluar nga sot”.

Ndryshe, në një deklaratë, ushtria izraelite tha se do të caktojë gjithashtu rrugë të sigurta për të ndihmuar agjencitë e ndihmës të shpërndajnë ushqim dhe furnizime të tjera për njerëzit në të gjithë Gazën.

Njoftimi se ushtria do të ndalojë disa luftime vjen pas muajsh paralajmërimesh nga ekspertët për zi buke mes kufizimeve izraelite për ndihmën.

Kritikat ndërkombëtare, përfshirë ato nga aleatët e ngushtë, janë rritur pasi shumë palestinezë janë vrarë në javët e fundit ndërsa përpiqeshin të arrinin në vendet e shpërndarjes së ushqimit.

The post Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dërgojnë 25 ton ndihmë humanitare në Gaza nga ajri appeared first on Kosovapost.net.