Barcelona në hall, nxjerr në shitje zbulimin e sezonit të kaluar për 15 milionë euro

Edhe pse ka bërë disa largime këtë merkato, Barcelona sërish e ka të nevojshme për të bërë largime të tjera, me qëllim që të regjistrojë në La Liga, dy transferimet e bujshme, Joan Garcia dhe Marcus Rashford.

Drejtuesit e Barcelonës po mendojnë shitjen e Gerard Martin, zbulimin e sezonit të kaluar në krahun e majtë. 23-vjeçari bëri paraqitje shumë të mira, në një pjesë shumë vendimtare të sezonit, duke zëvendësuar në mënyrë perfekte Alejandro Balde-n, i dëmtuar.

Megjithatë, pozicioni i tij në ekip është dobësuar këtë verë për shkak të daljes në skenë të të riut Jofre Torrents, i cili ka lënë një përshtypje të fortë në parasezon. “El Nacional” raporton se Flick preferon më shumë të riun Jofre Torrents, ndaj po mendohet shitja e Gerard Martin, gjithmonë nëse vjen oferta e duhur.

Barcelona e vlerëson të paktën 15 milionë euro mbrojtësin e ri dhe në marrëveshje do të përfshihet një klauzolë riblerje. Po ashtu, Barcelona do të mbajë dhe një % në rast shitjeje të tij në të ardhmen. Deri tani nuk ka ende oferta konkrete, por katalanasit janë të hapur për largimin e Gerard Martin.

The post Barcelona në hall, nxjerr në shitje zbulimin e sezonit të kaluar për 15 milionë euro appeared first on Telesport.