Real Madrid po i vjen rrotull Rodri-t, Man. City merr menjëherë masa për të parandaluar largimin e spanjollit

Prej ditësh po përflitet për një interesim tejet serioz të Real Madrid për mesfushorin e Manchester City-t, Rodri-n. Spanjolli është lojtari ideal për mesin e fushës për projektin që ka në mendje Xabi Alonso.

Duke parë që interesi sa vjen e po shtohet nga ana e madrilenëve, Manchester City është i vendosur të shuajë që në fillim çdo mundësi që Rodri të përfundojë duke veshur fanellën e Real Madridit. Klubi anglez, plotësisht i vetëdijshëm për interesin që ka qarkulluar prej javësh rreth mesfushorit spanjoll, ka marrë masa konkrete për të garantuar qëndrueshmërinë e njërit prej shtyllave të ekipit të Pep Guardiolës.

Man. City është i gatshëm t’i ofrojë një rinovim të kontratës mesfushorit spanjoll, deri në vitin 2030. Kontrata aktuale skadon në qershor të vitit 2027. Por, nuk do të jetë thjesht një rinovim kontrate, pasi për Rodri-n do te këtë dhe një rritje të ndjeshme rroge. Me kontratën e re, Rodri do të bëhet futbollisti i dytë më i paguar te Man. City, pas Erling Haaland. Aktualisht, Rodri merr 11 milionë euro në sezon. Me rinovimin e kontratës, përflitet se mund të përfitojë rreth 17-18 milionë euro në sezon.

Përtej aspektit financiar, klubi synon gjithashtu të forcojë angazhimin e lojtarit ndaj projektit sportiv, duke i treguar atij se ai është një shtyllë themelore jo vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen e afërt. Tani është në duart e Rodri-t, nëse do rinovojë kontratën me Man. City-n apo do preferojë transferimin te Real Madrid.

The post Real Madrid po i vjen rrotull Rodri-t, Man. City merr menjëherë masa për të parandaluar largimin e spanjollit appeared first on Telesport.