Izraeli vazhdoi të dërgojë ndihma nga ajri në Rripin e Gazës të hënën, tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite, disa ditë pasi më shumë se 100 agjenci ndihmash paralajmëruan se uria masive po përhapej në të gjithë enklavën.
Ushtria njoftoi gjithashtu në një deklaratë të veçantë se do të krijohen korridore humanitare për të lejuar lëvizjen e sigurt të konvojeve të Kombeve të Bashkuara që shpërndajnë ndihma për popullsinë e Gazës dhe se pauzat humanitare do të zbatohen në zonat me popullsi të dendur.
“Transporti ajror do të përfshijë shtatë paleta ndihmash me miell, sheqer dhe ushqim të konservuar të ofruara nga organizatat ndërkombëtare”, shtoi ajo.
Burime palestineze konfirmuan se ndihmat kanë filluar të mbërrijnë nga ajri në veri të Rripit të Gazës.
Kritika në rritje ndaj organizatave humanitare
Izraeli po përballet me kritika në rritje nga agjencitë e ndihmës, të cilat e akuzojnë atë për kufizimin e shpërndarjes së ndihmës. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, e përshkroi krizën si një “uri masive të shkaktuar nga njeriu”.
Autoritetet e vendit, të cilat ndërprenë të gjitha furnizimet për Gazën në fillim të marsit dhe më pas i rihapën ato me kufizime të reja, thonë se janë të përkushtuara për të lejuar hyrjen e ndihmave, por duhet ta monitorojnë atë për të parandaluar militantët që ta devijojnë atë. Autoritetet thonë se kanë lejuar furnizimin me ushqim të mjaftueshëm në Gaza gjatë luftës, duke fajësuar Hamasin për vuajtjet e 2.2 milionë banorëve të Gazës.
Izraeli: Nuk ka uri, faji është i OKB-së dhe Hamasit
Izraeli akuzoi gjithashtu Kombet e Bashkuara për dështimin për t’u përgjigjur në kohën e duhur, duke thënë se 700 kamionë me ndihma ishin parkuar në Gaza.
“Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) theksojnë se nuk ka uri në Rripin e Gazës; kjo është një fushatë e rreme e promovuar nga Hamasi”, tha ushtria izraelite në një deklaratë të shtunën, raporton BBC.
“Përgjegjësia për shpërndarjen e ushqimit për popullsinë e Gazës i takon OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare humanitare. Prandaj, pritet që OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare të përmirësojnë efikasitetin e shpërndarjes së ndihmës dhe të sigurohen që ndihma të mos arrijë te Hamasi.”
Më shumë se 125 persona kanë vdekur nga kequshqyerja, përfshirë 85 fëmijë, tha të shtunën Ministria e Shëndetësisë e Gazës.