Barra e dështimit është e VV-së, përfundim i turpshëm

Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar pas dështimit të 54-të të konstituimit të Kuvendit në afatin 30 ditor të Gjykatës Kushtetuese. Ai ka thënë se ky është një përfundim i turpshëm i një krize që është zvarritur me vetëdije, shkruan Reporteri.net.

Cakolli ka deklaruar se përgjegjësia për këtë dështim bie mbi subjektin politik që ka fituar zgjedhjet dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi.

Ai ka theksuar se vendi ndodhet në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jolegjitim dhe një qeveri në detyrë pa autoritet të plotë ligjor. Sipas tij, shteti është futur në një gjendje bllokade për shkak të mungesës së vullnetit për kompromis.


Reagimi:

Një përfundim i turpshëm i një krize që u zvarrit me vetëdije. Kuvendi nuk u konstitua as në përpjekjen e 54-të, duke dështuar kësisoj në përmbushjen e obligimit kushtetues për t’u konstituar brenda 30 ditëve.

Barra kryesore e përgjegjësisë politike së gjithë këtij dështimi bie qartazi mbi subjektin politik që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që kishte të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi. Por e drejta nuk mjafton kur mungon vullneti për konsensus dhe për ta çuar procesin përpara.

Nga sot, nuk do të kemi më seanca me improvizime e arbitraritet, si në sagën e mbi 100 ditëve të kaluara – një periudhë që, mbi të gjitha, shpërfaqi mungesën e përgjegjësisë politike dhe refuzimin e kompromisit si vlerë demokratike.

Tashmë jemi në një situatë të paprecedentë, me një Kuvend jofunksional e jolegjitim dhe me një qeveri në detyrë, të zgjedhur nga legjislatura e parafundit – anëtarët e së cilës nuk kanë as autoritet ligjor për vendimmarrje.
Qytetarët nuk e kanë merituar një shtet në pauzë për shkak të llogarive të ngushta partiake.