Murati: Deputetët e opozitës nuk u lejuan nga partitë të shprehin vullnetin e lirë me votim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se ishin partitë opozitare ato që nuk deshën zgjidhje për të shkuar para me konstituimin e Kuvendit.

Pas dështimit të seancës së 54-të, Murati para mediave pohoi se Lëvizja Vetëvendosje u dha partive politike edhe votimin e hapur në gjashtë seancat e para, sipas tij, deputetët opozitarë kishin vullnetin për të votuar, por thotë se nuk i lanë partitë.

“Ne kemi provuar gjashtë herë më duket votimin e hapur, gjashtë herë kanë pasë mundësinë të gjithë deputetët pra 120 që të votojnë, të marrin pjesë me votën e tyre dhe të dilet nga ngërçi. Por që e kemi parë se pavarësisht që edhe atëherë ka pasë vullnete individuale të deputetëve ka mbizotëruar linja e partisë, dhe diktati nga lartë që asnjë deputetë të mos dalë nga linja partiake”, u shpreh Murati.

Murati theksoi se partitë opozitare nuk patën guximin që t’i lejojnë deputetët e tyre as të votojnë edhe me votim të fshehur.

“Prandaj, edhe kemi propozuar votimin e fshehtë të cilit fatkeqësisht nuk iu dha rasti as edhe një herë të vetme të testohej, pasi siç e dini ka pasë edhe kompromis tjetër të radhës se në qoftë se në një herë të vetme dështon votimi i fshehtë, pra marrin pjesë deputetët dhe dështon votimi i fshehtë kandidatja jonë Zonja Albulena Haxhiu do të tërhiqej dhe do të ndërrohej kandidati”, tha Murati.

Sipas tij, ky qëndrim i opozitës është “një shtypje e vullnetit të deputetëve dhe është në kundërshtim me Kushtetutën”./kk

The post Murati: Deputetët e opozitës nuk u lejuan nga partitë të shprehin vullnetin e lirë me votim appeared first on Kosovapost.net.