Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se pas 54 tentimeve për konstituimin e Kuvendit, është arritur një rekord negativ, pasi ngërçi politik vazhdon pa u zgjidhur.
Pas përfundimit të seancës së fundit, Krasniqi theksoi se as Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka sjellë ndryshime tek Lëvizja Vetëvendosje për të avancuar procesin e konstituimit të parlamentit.
“Sot ishte seanca e 54-të me radhë e tentimit për të konstituuar Kuvendin e Kosovës. Po ashtu sot janë bërë 166 ditë që nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe Kosova ende nuk ka institucione. Tashmë kemi vënë disa rekorde të zeza për konstituimin e Kuvendit. Ndërkaq sot po kalon afati 30 ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e këtij institucioni madhor dhe përsëri asgjë nuk lëvizi”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se mungon përgjegjshmëria dhe ndjesiaa ndaj vendit dhe qytetarëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti
“Deputetët u paraqitën pa përgjegjësi, pa nder dhe pa turp. Nuk pati përpjekje për zgjidhje, reflektim për pasojat apo empati për qytetarët. Përkundër rekomandimit të qartë për kompromis nga Gjykata Kushtetuese, arroganca e Albin Kurtit dhe VV-së ka qenë më e madhe se përgjegjshmëria që kërkohej, më e madhe se shteti dhe demokracia,” theksoi ai.
Krasniqi paralajmëroi se Kosova po futet në një fazë të panjohur dhe në një terren të rrezikshëm institucionalisht dhe shtetëror për shkak të këtyre zhvillimeve.