PSG, shumë afër transferimit të parë për këtë merkato. 22 vjeç dhe kushton 60 milionë euro

PSG është një nga pak klubet e njohura që deri tani nuk ka bërë asnjë goditje të madhe në merkato, duke ditur që kanë një ekip të kompletuar, pavarësisht humbjes 3-0 ndaj Chelsea-s, në finalen e Kupës së Botës për Klube.

Megjithatë, parizienët duket se e kanë gati goditjen e parë të madhe në këtë merkato. Klubi parizien ka intensifikuar negociatat me Bournemouth për të finalizuar marrëveshjen për transferimin e qendërmbrojtësit ukrainas Illia Zabarnyi. Zyrtarizimi pritet të ndodhë javën që vjen.

Mbrojtësi 22-vjeçar ka qenë një nga kërkesat specifike të Luis Enrique për sezonin e ardhshëm. Trajneri spanjoll synon të rrisë opsionet në vijën mbrojtëse, ku aktualisht mbështetet te Marquinhos dhe William Pacho si dyshja titullare. Me një kalendar të ngjeshur përpara, ku synimi kryesor është triumfi për të dytin vit rresht në Champions League, Enrique e konsideron thelbësore të shtojë një qendërmbrojtës të besueshëm dhe menjëherë premtues.

I formuar te Dynamo Kiev, Zabarnyi ka shkëlqyer së fundmi nën drejtimin e Andoni Iraola te Bournemouth. Rritja e tij në Premier League ka qenë e jashtëzakonshme, duke e vendosur veten si një mbrojtës të fortë me shpërndarje të mirë të topit dhe aftësi të shkëlqyera parashikimi. Pavarësisht moshës së tij të re, pjekuria e tij e ka bërë atë një përparësi kryesore për kampionët evropianë. Marrëveshja mes dy klubeve pritet të mbyllet për 60 milionë euro.

The post PSG, shumë afër transferimit të parë për këtë merkato. 22 vjeç dhe kushton 60 milionë euro appeared first on Telesport.