Presidentja e Ksoovës, Vjosa Osmani ka takuar në orët e pasdites kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me kërkesën e këtyre të fundit.
Takimet e ndara janë mbajtur në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e institucioneve të Kosovës, në orët e fundit të një afati kushtetues prej 30 ditësh, të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Burime të RTV21 të afërta me takimet, thonë se nuk ka pasur një lëvizje të qëndrimeve nga asnjëra palë dhe nuk ka pasur përafrim të qëndirmeve mes tyre. Kryetari i Lëvizjes Vëtëvendosje Albin Kurti dhe ai i Nisma-s Fatmir Limaj nuk i kanë përafruar qëndrimet e tyre rreth çështjes së kryeparlamentarit. Limaj ka mbajtur qëndrimin që për zhbllokim të situatës ky post t’i jepet Nisma-s por Kurti ka këmbëngulur, sipas burimeve të RTV21 të afërta me takimet, se është i interesuar që të ketë bashkëqeverisje me Limajn por jo edhe t’i japë postin e kryeparlamentarit.
Aktualisht LVV ka 56 vota në Kuvend dhe është në kërkim të dy votave të tjera nga komunitetet jo serbe, dhe 3 votave të Nismës, për të bërë një shumicë prej 61 votash. Një seancë e re e Kuvendit priotet të mbahet sonte në ora 22.00 por ka pak shpresa se mund të lëvizin gjërat drejt zhbllokimit./ RTV21