Pas një sezoni historik në Paris, që nuk u kurorëzua vetëm me triumfin në Kupën e Botës për Klube, vjen edhe viti i fundit i kontratës për njërin nga portierët më të mirë në botë, Gianluigi Donnarumma. “Gardiani” italian ishte vendimtar në tripletën sezonale të arritur nga PSG, por rinovimi i kontratës së tij, që ka nisur që prej një viti, është aktualisht i pezulluar. “Nuk ka asgjë për të shtuar për momentin”, është shprehur rrethi i ngushtë i portierit, i cili ndezi alarmet menjëherë pas fitores së Champions-it: “Nuk e di nëse do të qëndroj, do ta shohim”.
Agjenti i tij, Enzo Raiola, pavarësisht se ka dhënë sinjale pozitive për tifozët e PSG-së, nuk ka aspak nxitim për ta zgjatur marrëveshjen: “Kemi një marrëdhënie të mirë me klubin. Gigio është i lumtur në Paris. Megjithatë, dua të sqaroj se deri tani nuk ka pasur asgjë konkrete. Natyrisht, nëse nuk arrijmë një marrëveshje për rinovimin, do të shqyrtojmë alternativa të tjera. Për momentin, asgjë nuk përjashtohet”.
Portieri 26-vjeçar është një prej yjeve të PSG-së. Klube si Interi, rivali i përjetshëm i Milanit, aty ku Donnarumma u rrit dhe shpërtheu, e ndjekin me interes, pasi zikaltërit kërkojnë pasuesin e Yann Sommer (36 vjeç). Po ashtu, Juventusi dhe Manchester City e kanë në radarin e tyre. Rikthimi në Itali mbetet një mundësi reale. Në këtë situatë, kampionët e Europës do të duhet të përshpejtojnë rinovimin, ose të gjejnë një zgjidhje për të mos e humbur portierin italian me parametra zero në fund të sezonit të ri.
Një rast shumë i ngjashëm me atë që ndodhi me Kylian Mbappé. Francezi njoftoi largimin nga “Parc des Princes” dhe më pas Real Madridi e mori pa paguar asgjë. Gjithashtu, Luis Enrique e la jashtë disa ndeshjeve në fundin e sezonit, megjithatë Mbappé arriti t’i përshëndeste tifozët në sfidën ndaj Toulouse.
Ky nuk është hera e parë që ndodh një përplasje e tillë në kryeqytetin francez. Në vitin e fundit të kontratës së tij me PSG, Adrien Rabiot refuzoi të rinovonte dhe klubi e përjashtoi nga skuadra, duke mos i dhënë minuta në pjesën më të madhe të sezonit. “Nuk dua të gënjej; kur isha te PSG, nuk më dhanë asgjë, nuk kishte dhurata, nuk ishin aty për mua”, – tregoi më vonë kampioni i botës me Francën në vitin 2018.
Lidhur me situatën e Donnarumma, e fundit gjë që dihet është se ai ndodhet në Sardenjë, ku ka zgjedhur ambientet e kompleksit sportiv “Biagio Pirina” për t’u përgatitur për sezonin e ri. Ndërkohë, agjenti i tij jep disa sinjale për të ardhmen: “Po flasim. Nuk është e pazakontë që një operacion i tillë të zgjasë, sepse po flasim për portierin më të mirë në botë”.
Nëse negociatat dështojnë, zëvendësuesi i zgjedhur nga PSG është Lucas Chevalier i Lille, ndonëse prioriteti mbetet që Donnarumma të qëndrojë. Nga ana tjetër, Enzo Raiola mendon se “Gigi” meriton edhe “Topin e Artë”. “Pa pritjet e tij kundër Liverpool-it, Aston Villa dhe Arsenalit, PSG nuk do ta kishte fituar kurrë Champions-in”, – thekson kushëriri i Mino Raiolës, duke shtuar se pret një superkontratë për klientin e tij, një prej figurave më të mëdha të futbollit europian.
The post Një rast i ri “Mbappé” për PSG-në? Rreziku që vjen nga ngecja e rinovimit të Donnarumma appeared first on Telesport.