Sezoni zikaltër pa trofe (por me të ardhura milionëshe) ka mbetur pas. Merkatoja është ende në zhvillim, por nuk ka revolucione në horizont. Po shkohet drejt një rinovimi të matur (Sucic, Bonny) dhe një forcimi të skuadrës (Lookman, Leoni?), por pa tronditje të mëdha.
Nga Marotta tek Ausilio, të gjithë drejtuesit janë konfirmuar nga Oaktree. Këtë vit, amerikanët duken më të hapur ndaj investimeve krahasuar me sezonin e kaluar, kur Interit i munguan vetëm pak gola (ndoshta një sulmues në janar) për të fituar ndonjë trofe.
Risia më e madhe vjen nga pankina. Largimi i papritur dhe i vështirë për t’u përtypur i Inzaghit (pas katastrofës në finalen e Champions-it në Mynih) solli dorëzimin surprizë të çelësave të “Appiano” te Cristian Chivu, një interist i vërtetë. Një rrezik i përllogaritur, por që ende duhet vërtetuar.
Tifozët, megjithatë, kanë një siguri: Lautaro Martinez. Interi ka një njeri simbol, një kapiten të vërtetë. Dhe çfarë kapiteni! Një “specie e rrallë” në futbollin e sotëm, sidomos në Itali. Bëhet fjalë për dikë që i është përkushtuar kauzës zikaltër qysh 8 vite më parë dhe numëron 237 ndeshje me fanellën zikaltër. Një kampion, sot 27-vjeçar, që ofertat dhe propozimet milionere nga e gjithë bota nuk kanë arritur ta lëkundin nga Milano.
Sot ai është simboli i vërtetë i Interit dhe duket se dëshiron të ndjekë gjurmët e kapiten Zanettit: 20 vite me Interin në shpirt. Edhe debati i fundit, “shpërthimi” në transmetim direkt, në korrik, ndaj atyre që nuk “dhanë shpirtin” në fushë në Botërorin për Klube dhe ndaj atyre që nuk treguan mjaftueshëm ndjeshmëri ndaj përfundimit të vështirë të sezonit zikaltër (shih Calhanoglu), e ka forcuar më tej rolin e tij si lider i padiskutueshëm.
Edhe pse e mban shiritin vetëm prej dy vitesh, argjentinasi sillet si një veteran brenda dhe jashtë fushës. Është i respektuar nga klubi, ka karizëm mbi shokët e skuadrës, është i adhuruar nga tifozët. Jo aq për 115 golat e shënuar, por për “ADN” e tij, dëshirën për të mos u dorëzuar dhe aftësinë për t’u sakrifikuar.
Një shembull për të gjithë, mjafton të kihen parasysh 71 minutat e luajtura në kushte të vështira (“me një këmbë të vetme”) në gjysmëfinalen historike të fituar 4-3 ndaj Barcelonës së Yamal, ku shënoi një gol dhe fitoi një penallti vendimtare.
Nëse për zikaltërit, 2025/26 do të jetë një sezon tranzicioni, me skuadrën “të shtypur” mes sezonit të gjatë të kaluar dhe Botërorit 2026, që po afron, mbetet për t’u parë produkti i tyre.
Sidoqoftë, Interi ka një avantazh ndaj rivalëve: mund të mbështetet te “një qendër graviteti e përhershme”, të cilën tifozët tashmë e quajnë “Lautarokracia”.
The post Çfarë kapiteni, çfarë embleme…; ka nisur epoka e ‘Lautarokracisë’ tek Interi appeared first on Telesport.