Në prag të mbajtjes së seancës së 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, shpreh shpresë se kjo seancë mund të sjellë një zhvillim ndryshe nga dështimet e deritanishme.
Baraliu vlerëson se sot mund të arrihet një marrëveshje mes partive politike për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si shansin e fundit për t’i dhënë fund bllokadës institucionale dhe për të përmbushur obligimet kushtetuese të deputetëve.
Në një intervistë për KosovaPress, profesori universitar, Mazllum Baraliu tha se pret që sot të ketë një marrëveshje për Kuvendin, dhe ndoshta edhe për Qeverinë, sipas tij.
Nëse kjo nuk ndodhë, sipas Baraliut, vendi rrezikon të futet në një situatë të paqartë dhe të rrezikshme, që cenon jo vetëm sigurinë, por edhe vetë funksionimin dhe ndërtimin e shtetit.
“Pritet është momenti i fundit. Fatkeqësisht ne jemi mësuar që momentet e fundit t’i zgjidhim çështjet dhe jo me kohë. Parashikoj që duhet të ketë një vendim. Duhet të ketë një marrëveshje dhe duhet të ketë mbase një marrëveshje edhe për kuvend edhe për qeveri. Por,të paktën për kuvend është e domosdoshme. Nëse kjo nuk ndodhë, deputetët e kësaj legjislature të nëntë të kuvendit do të duhej të vetëdijesohen dhe t’i kthehen arsyjes dhe detyrave e përgjegjësive që kanë. Dhe detyrave e përgjegjësive edhe morale, jo vetëm politike, e etike që kanë marrë me vetë faktin se kanë marrë besimin e sovranit të popullit, të qytetarit që i ka votuar, pa marrë parasysh nga qëndrimet e subjekteve të tyre politike ta bëjnë shumicën, ta votojnë kryetarin e kuvendit, cili do qoftë ai kandidat. Jemi në rrezik dhe futemi në një hapësirë, në një labirinth ta pa paraparë dhe të paparë të rreziqeve edhe në aspektin e sigurisë edhe të shtetekzistmit dhe shtet ndërtimit”, tha Baraliu.
Baraliu potencoi se sot minimalisht duhet të finalizohet marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate.
Ai theksoi se është absurde që një proces që mund të zgjidhet për pesë minuta të mbetet i bllokuar.
Sipas tij, nëse Kuvendi nuk konstituohet dhe nuk votohen kryetari dhe nënkryetarët, vendi futet në një “zonë gri”, që rrezikon seriozisht ekzistencën e shtetit dhe funksionimin e republikës.
“Ajo që është minimumi i minimumit do të duhej të ishte marrëveshja e finalizuar tashmë. Sepse nuk ka kuptim, është absurde…Diçka që bëhet për pesë minuta, duhet ta bëjnë. Nëse kjo jo, duhet të ketë votim të kujtdo qoftë, çfarëdo qoftë propozimi, modeli, duhet të votohet kandidati apo kandidatja që propozohet nga shumica ose ndonjë kompromis. Nëse jo kompromis, nëse jo marrëveshje politike për kuvend apo qeveri, domosdoshmërisht deputetët, e kanë për detyrë, madje edhe Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e mëhershëm, pjesë e të cilit është edhe vendimi i djeshëm, si sqarim i këtij akgjykimi. Do të duhej ta konstituoni kuvendin, ta votonin kryetarin dhe nën kryetarët e të gjitha partive, gjithë atyre që iu takojnë dhe të hapet rruga më tutje për themelim të qeverisë në bazë të dispozitave të nenit 95 të kushteutes…Nëse jo, ne hymë në një zonë gri e cila është mjegulluar po aq sa ne ta rrezikojmë qenien tonë shtetërore, qenien e republikën dhe ekzistencën e shtetit. Këtë nuk i lejohet asnjë deputeti ta bëjë”, potencoi Baraliu.
Ndërkaq, lidhur me vendimin e 24 korrikut të Gjykatës Kushtetuese, Baraliu tha se është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse sipas tij vjen në një moment kritik dhe u tregon qartë deputetëve dhe partive politike se çfarë duhet të bëjnë dhe brenda cilave afate.
Ai sqaroi se Gjykata ka dhënë afat deri më 27 korrik për konstituimin e Kuvendit. Nëse kjo nuk ndodhë nga 27 korriku deri më 8 gusht, siç e shpjegoi edhe Baraliu, aktivizohet masa e sigurisë dhe Gjykata do të nisë shqyrtimin e të gjitha kërkesave dhe dokumenteve të paraqitura nga dy partitë politike.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është precizim i aktgjykimit të mëhershëm dhe përgjigje në dy parashtresat e dy subjekteve politike që kanë bërë, PDK-ja dhe LDK-ja lidhur me procesin e bllokimit të konstituimit të kuvendit. E shoh si një akt jashtëzakonisht të rëndësishëm në momentin më të rëndësishëm dhe kritik për të vetëdijesuar dhe për trasuar në mënyrë rekomanduese kardinale rrugën e deputetëve dhe të partive politike dhe çfarë duhet të bëjnë dhe deri kur janë afatet e caktuara për të vepruar. Pra, iu ka dhënë mundësinë që fillimisht deri më 27 të bëhet kuvendi, nëse bëht çdo gjë është në rregull. Nëse jo, atëherë nga 27 korrikut deri më 8 gusht fillon dhe zbatohet masa e sigurisë dhe pastaj fillon punën gjykata në përpunimin e të gjitha kërkesave, të dhënave, elementeve të atyre dy parashtresave të dy subjekteve politike”, tregoi Baraliu.
Gjykata Kushtetuese ka kthyer të premten më 24 korrik, përgjigje ndaj kërkesave të PDK-së dhe LDK-së mbi vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë të seancës së mbajtur më 29 qershor 2025.
Kushtetuesja ka caktuar masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo vendim dhe veprim i deputetëve të zgjedhur lidhur me seancën konstituive pas përfundimit të afatit 30 ditor, dhe se nuk do të mund të marrin asnjë vendim tjetër nga 27 korriku deri më 8 gusht.
The post Seanca e 53-të, Baraliu: Pritet të arrihet marrëveshje, është momenti i fundit appeared first on Kosovapost.net.