Atalanta nuk bën lëshime, Interi përgatit një ofertë të re për Lookman

Bisedimet për Ademola Lookman kanë mbetur në pikën e javës së kaluar. Interi ishte paraqitur me një propozim huazimi, me detyrim blerjeje, i ndarë në dy këste, që në total do të arrinte shifrën prej 40 milionë eurosh. Një ofertë që, sipas drejtuesve zikaltër, u konsiderua përfundimtare dhe jo e hapur për rritje të mëtejshme.

Megjithatë, kjo qasje e parë u refuzua menjëherë nga Atalanta, e cila nuk e konsideroi të kënaqshme formulën e propozuar. Që prej asaj pike, situata ka hyrë në një fazë bllokimi, një lloj loje shahu që pret lëvizjen e duhur nga të dyja palët.

Tani, Interi po shqyrton një rritje të lehtë të pjesës fikse të ofertës, me mundësi rilançimi midis 42 dhe 43 milionë euro, plus bonuse, që mund ta çojnë shifrën përfundimtare mbi 45 milionë. Kjo do të ishte strategjia e duhur për t’iu afruar kërkesave të Atalantës, e cila vazhdon të qëndrojë në pozita të forta duke kërkuar 50 milionë.

Një kompromis mund të arrihet për rreth 45 milionë euro, plus bonuse, edhe sepse vetë Lookman verën e kaluar kishte shprehur qartë dëshirën për të lënë Bergamon, duke mbetur jashtë grumbullimeve në ndeshjet e para zyrtare të gushtit, për t’u rikthyer më pas në formacion në shtator.

Ndërkohë, anësori nigerian është aktualisht duke punuar rregullisht me grupin dhe mbetet në dispozicion të Ivan Juric. Përshtypja është se situata mund të zhbllokohet duke nisur nga java e ardhshme. Në prapaskenë qëndron Atletico Madridi, që sapo ka shitur Samuel Lino dhe mund të vendosë të futet në garë në orët në vijim.

The post Atalanta nuk bën lëshime, Interi përgatit një ofertë të re për Lookman appeared first on Telesport.