Rrahmani: Jam krenar që s’jam pjesë e këtij Kuvendi – votimi i fshehtë, absurd

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, ka deklaruar se ndihet jashtëzakonisht mirë që nuk është më pjesë e këtij legjislativi, të cilin e cilëson si një nga më të dështuarit në historinë e vendit.

“Ndjehem jashtëzakonisht mirë që nuk jam pjesë e këtij Kuvendi dhe që nuk jam pjesë e atyre grupacioneve politike që po ndodhin. Fatkeqësisht ka ardhur dita që të jem krenar që nuk jam pjesë e një Kuvendi të tillë, i cili do të mbahet mend në historinë e Kosovës për keq”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka kritikuar drejtpërdrejt Lëvizjen Vetëvendosje, duke e fajësuar për krizën në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryeparlamentares.

“Sipas meje, përgjegjësia direkte bie mbi Vetëvendosjen. Ata e propozuan kryeparlamentaren dhe kur e panë që nuk kanë votat, nuk duhej të insistonin më tej. Nëse nesër Albulena Haxhiu merr votat, për mua nuk ka legjitimitet, sepse vota e parë tregoi vullnetin pa presion të deputetëve. Çdo ndryshim më pas mund të nënkuptojë shantazh, blerje ose kërcënim ndaj ndonjë deputeti”, u shpreh ai.

Rrahmani e cilësoi si absurde kërkesën e Vetëvendosjes për votim të fshehtë në Kuvend.

“Tentativa për një votim të fshehtë është absurde. Nuk do ta kisha besuar kurrë që Kuvendi i Kosovës do të kërkonte votim të tillë. A ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Kosovës një votim i fshehtë për kryeparlamentar? Jo. Si mund ta pranojë një deputet që të mos dihet kush për kë ka votuar?”, theksoi ai.

Në fund, ai ironizoi deklaratat e disa deputetëve që e arsyetonin votimin e fshehtë me faktin që edhe qytetarët votojnë fshehurazi.

“Kur dëgjova një deputet që tha se qytetarët votojnë fshehur, prandaj duhet edhe ne – kjo ishte e tmerrshme”, përfundoi Eman Rrahmani.

The post Rrahmani: Jam krenar që s’jam pjesë e këtij Kuvendi – votimi i fshehtë, absurd appeared first on Kosovapost.net.