I munguar në ndeshjen e parë të turit aziatik ndaj Arsenalit, Youssouf Fofana është gati ta nisë sezonin e ri sot, në miqësoren kundër Liverpool-it në Hong Kong, pasi ka kaluar shqetësimet fizike të javëve të para të stërvitjes. Mesfushori francez është prononcuar për “Gazzetta dello Sport”, ku ka dhënë sinjalin e grintës:
“Sezoni i kaluar iku, nuk mund të ndryshojmë më asgjë. Tani kemi egërsinë e duhur për sezonin e ri. Personalisht jam mirë. Pata kohë për të pushuar dhe tani jam gati. Ndaj Liverpool-it do jem i pranishëm, po punojmë për ndeshje të tilla”.
Për Fofana, sfida kundër “Reds” do të jetë debutuese nën drejtimin e Allegrit: “Jam gati. Japim të gjithë maksimumin dhe pastaj të shohim çfarë ndodh. Allegri ka një marrëdhënie të mirë me grupin, na qëndron pranë. Flasim për futboll, por edhe gjëra të tjera.
Në fushë bën diferencën me ato që na shpjegon, ne e ndjekim. Na duhej një trajner fitues i tillë. Allegri ka fituar shumë në Serie A dhe në Champions ka pasur dy ecuri të shkëlqyera, duke arritur dy finale. Është diçka pozitive për ekipin tonë që ndodhet këtu”.
Objektivi për sezonin e ri është ai që ka vendosur edhe trajneri: “Çdo sezon, Milani duhet të luajë në Champions League. Nuk është një kërkesë e klubit, për Milanin nuk ka alternativë tjetër”.
Deri tani, goditjet e Milanit në merkato kanë qenë të gjitha në repartin e mesfushës. Edhe Jashari duket gjithnjë e më pranë, por Fofana nuk trembet nga konkurrenca: “Në futboll, konkurrenca nuk është kurrë problem, por diçka normale. Madje, është një gjë e mirë, sepse të shtyn të jesh më konkurrues. Me lojtarë kaq të fortë do të mund të themi fjalën tonë kundër kujtdo”.
Ndër këta “lojtarë të fortë”, ai që bie më shumë në sy është padyshim Luka Modric: “Të gjithë jemi të gatshëm të sakrifikohemi për fituesin e ‘Topit të Artë’. Mezi presim të stërvitemi me të. Nga një lojtar i tillë, mjafton ta shikosh teksa luan apo të flasësh me të jashtë fushe, dhe ke ç’të mësosh. Te Milani do të japë shumë”.
Më pas, një mendim edhe për Samuele Ricci: “Është një lojtar shumë i aftë, si me topin, ashtu edhe pa të. Brenda pak kohe do të ketë automatizmat e duhura”.
Vlerësimi për Milanin që po ndërtohet: “Kemi bërë mjaft mirë, edhe pse jemi një skuadër e re. Në të ardhmen do të përmirësohemi edhe më shumë. Po punojmë fort, fakti që kemi luajtur kundër Arsenalit do të na ndihmojë të fitojmë përvojë”.
The post Rrëfehet Fofana: Na duhej një fitues si Allegri, jemi gati të sakrifikohemi për Modric appeared first on Telesport.