Spalletti zbulon plagën e tij, që nuk shërohet: Më ka prishur gjumin, më ndikon në gjithçka

“Nuk më kalon kurrë. Më prish gjumin, më ndikon në gjithçka, sepse mendja më shkon gjithmonë atje”. Luciano Spalletti e ka përjetuar thellë largimin e trazuar nga kombëtarja Italiane, pas humbjes së rëndë ndaj Norvegjisë në kualifikueset për Kupën e Botës 2026. Ish-trajneri i Italisë ka pranuar se po kalon një moment tepër të vështirë, me ndikim edhe në jetën e tij personale.

“Ndonjëherë më duket sikur jam i lumtur, por më pas, papritur, më rikthehet ajo gjë në mendje. Nuk arrita t’u bëj të qartë djemve që i doja, – shpjegoi Spalletti për “La Repubblica”. – Kur më propozuan ta drejtoja kombëtaren, nuk fjeta dy ditë nga emocionet. Kjo plagë do të jetë e dhimbshme edhe kur të ketë kaluar fazën e shërimit”.

Trajneri toskan pranon se do t’i duhet kohë për ta rigjetur veten. Ai reflektoi edhe mbi gabimet e mundshme që çuan në dështimin në “Euro 2024” dhe më pas në vështirësitë drejt kualifikimit për Botërorin 2026: “Gabimi im ishte se në fillim insistova shumë në ndjesinë e përkatësisë, të identitetit. Iu kërkoja djemve të këndonin himnin, të bërtisnin një thirrje lufte para çdo stërvitjeje.

Doja të nxisja krenarinë që ndieja vetë, por ndoshta e teprova. Nuk mendoj se pranimi i detyrës ishte gabim, sepse kombëtarja nuk të kërkon, ajo të thërret. Nuk është një zgjedhje që bëhet me logjikë. Kur të thërret kombëtarja, duhet të ndihesh krenar dhe të vësh gjithçka në dispozicion… Ja, ndoshta ky është një nga konceptet që po i humbasim”.

Edhe pse nuk shkoi siç kishte shpresuar, Spalletti vijon të mbrojë me vendosmëri lojtarët e tij, duke iu kundërpërgjigjur kritikëve që thonë se Italia nuk ka më talente të mëdhenj: “Jo, ua kam thënë edhe lojtarëve në kombëtare: mos u mashtroni nga ata që thonë se jeni të dobët, jeni në nivel të lartë.

Edhe pse përfundoi kështu dhe përgjegjësia është veçse e imja, nuk do të hiqja kurrë dorë nga Bastoni, Barella, Dimarco, nga grupi im i ngushtë, pra. Pas Europianit, mendova se e kishim gjetur rrugën. Por, siç ndodh ndonjëherë në fushat tona, ti hap kanalin për ujin, por ai merr drejtim tjetër. Gërryen e gërryen, derisa krijon një gropë të madhe”.

The post Spalletti zbulon plagën e tij, që nuk shërohet: Më ka prishur gjumin, më ndikon në gjithçka appeared first on Telesport.