“Barishtja e keqe nuk vdes kurrë…”; Thomas Müller e njofton kështu vazhdimin si futbollist

“Barishtja e keqe nuk vdes kurrë”. Kështu e përshkruan veten Thomas Müller, i cili zhvilloi ndeshjen e tij të fundit me Bayern Munich më 5 korrik, në humbjen ndaj PSG, në çerekfinalet e Kupës së Botës për Klube. Nuk ishte lamtumira më e mirë, por lojtari gjerman tha “mirupafshim” ndaj klubit të jetës së tij duke qenë në fushë dhe me shpirtin luftarak që e ka karakterizuar gjithmonë.

Pas një jete të tërë së bashku, Bayern Munich vendosi të mos ia rinovonte kontratën Thomas Müllerit. Futbollisti i gjithanshëm gjerman kishte humbur rëndësinë e dikurshme në skuadër, në sezonet e fundit, megjithatë, në moshën 35-vjeçare, ai mbetet ende një lojtar i vlefshëm në disa situata. Sidoqoftë, drejtuesit bavarezë e konsideruan të mbyllur kapitullin e tij si lojtar dhe i ofruan një rol brenda klubit për të mbetur i lidhur me të.

Por Müller ka ende shumë për të dhënë. Në sezonin e fundit me Bayernin ka luajtur 1.921 minuta të shpërndara në 49 ndeshje, në të gjitha kompeticionet (Kupa e Gjermanisë, Bundesliga, Liga e Kampionëve dhe Kupa e Botës për Klube), duke kontribuar me 8 gola dhe 8 asistime. Përveç statistikave, veterani gjerman është gjithmonë një vlerë e shtuar në dhomat e zhveshjes për shkak të karakterit të tij fitues dhe personalitetit të pakrahasueshëm.

Megjithëse disa e kishin konsideruar tashmë të tërhequr nga futbolli, sulmuesi gjerman shprehu qartë dëshirën për të vazhduar të grumbullojë beteja në fushë: “Ende kam dëshirë për të luajtur futboll dhe për këtë arsye kam vendosur të vazhdoj. Do të vazhdoj të jem futbollist.

E dua futbollin dhe presionin për të dhënë maksimumin. Derisa trupi të më lejojë, dua ta shfrytëzoj këtë mundësi. Edhe pse nuk do të jem më në Europë dhe nuk do të luaj në Ligën e Kampionëve, po filloj të emocionohem. E di që pas largimit nga Bayerni, kushtet janë të ndryshme, por po e pres këtë me entuziazëm”.

Të gjitha informacionet çojnë drejt një transferimi të mundshëm në MLS (Shtetet e Bashkuara), edhe vetë Müller e ka lënë të hapur këtë mundësi: “Sigurisht që kam reflektuar për këto tema, kam menduar në mënyrë inovative. MLS është padyshim një kampionat interesant, sidomos me Kupën e Botës që zhvillohet në SHBA vitin e ardhshëm”.

The post “Barishtja e keqe nuk vdes kurrë…”; Thomas Müller e njofton kështu vazhdimin si futbollist appeared first on Telesport.