Porosia e Thaçit nga Haga: Më shumë dashuri për shtetin e popullin, Edi po bën historinë evropiane të shqiptarëve

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga qelia në Hagë ka dhënë një intervistë të veçantë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ku ndër të tjera ka folur edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të cilin e quan mik të madh.

Sipas Thaçit, Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur dhe ka një të ardhme të garantuar në Perëndim. Ai vlerësoi lart lidershipin e Ramës dhe ndikimin që po jep në zhvillimin e vendit dhe kombit shqiptar në tërësi.

“Shqipëria sot, është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore. Edi Rama po dëshmon vizion të shëndetshëm e modern me plot optimizëm dhe besim. Edi po e transformon dhe emancipon Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi po e bën historinë evropiane të shqiptarëve”, u shpreh Thaçi në “Rubikon”, raporton Klankosova.tv.

Në vijim të intervistës, Thaçi komentoi edhe situatën në Kosovë. Ai bëri thirrje për më shumë ndjenjë shtetformuese, për dialog dhe bashkëpunim mes forcave politike, pavarësisht dallimeve mes tyre.

“Dallimet politike do duhej t’i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme”, tha Thaçi.