Milani, ngecin negociatat për Jasharin. Igli Tare studion alternativat, ja emrat në listë

Ardon Jashari është rikthyer të stërvitet, edhe pse veçmas, me Club Brugge, por vazhdon të shtyjë për një largim në merkaton e kësaj vere. Megjithatë, pa një përpjekje të re ekonomike nga Milani, gjithçka mbetet e bllokuar.

Edhe pse është arritur marrëveshja me lojtarin, klubi kuqezi nuk ka ndërmend ta ndryshojë ofertën e tij. Ditët kalojnë dhe Massimiliano Allegri pret përforcime. Pikërisht për këtë arsye, Igli Tare ka nisur të shqyrtojë alternativa për mesfushorin shqiptaro-zviceran.

Sipas “Tuttosport”, emri që e tërheq më shumë vëmendjen aktualisht është ai i Tyler Adams nga Bournemouth. Një mesfushor-mbrojtës i besueshëm, që mund të luajë edhe si “mezzala”. Ai është tashmë titullar i padiskutueshëm në kombëtaren e SHBA-ve. Vlera e tij është e ngjashme me atë të Jasharit dhe Javi Guerra (i ndjekur nga Manchester United); mes 25 dhe 30 milionë eurove.

Sa i përket krahut të djathtë, Milani po shqyrton dy opsione: Guela Doué, për të cilin Strasburgu po reziston fort, dhe Wilfried Singo, një emër që po fiton gjithnjë e më shumë terren. Në të majtë, ndërkohë, ka ardhur tashmë zyrtarisht Pervis Estupiñán.

Në dalje nag Milani? Emerson Royal, i cili pas mbrëmjes së mërkurë nuk do të kalojë më te Besiktas, por është afër Flamengos. Al-Ittihad ka shprehur interes për Ismael Bennacer, ndërsa Yacine Adli pëlqehet nga Sassuolo dhe Torino. Milani po punon edhe për të reduktuar numrin e lojtarëve në skuadër.

The post Milani, ngecin negociatat për Jasharin. Igli Tare studion alternativat, ja emrat në listë appeared first on Telesport.