“Allegri është garanci për Milanin. Ancelotti? Mund ta fitojë Kupën e Botës me Brazilin”

Zemër kuqezi, Alexandre Pato flet për rikthimin e Massimiliano Allegrit te Milani dhe jo vetëm, në një intervistë të dhënë për “Gazzetta dello Sport”: “Ta shoh Allegrin në këtë pankinë më sjell ndërmend kujtime të bukura, ato të titullit kampion që fituam së bashku.

Kishim një skuadër me kampionë si Ibrahimovic, Thiago Silva, Gattuso, Pirlo, Seedorf, Nesta dhe të gjithë të tjerët. Ishim një grup i jashtëzakonshëm dhe e rikthyem Milanin në majë. Tani shpresoj që këtë ta arrijnë këto lojtarë.

Objektivi i parë duhet të jetë kualifikimi në Champions League, pastaj… do të shihet. Allegri është një garanci, trajnerë të zotë si ai ka shumë pak. Është i njëjti si 15 vite më parë dhe ende di si ta fitojë dashurinë e grupit”.

Ashtu si Ancelotti, që tani drejton kombëtaren e Brazilit: “Për ne brazilianët është nder të kemi një trajner kaq fitues. Carlo do të mbetet gjithmonë një person i veçantë për mua, sepse ai më mori te Milani dhe më ndihmoi të rritem.

Lojtarët do ta ndjekin dhe do të marrin kënaqësi, por mirë do të bëjë edhe djali i tij, Davide, në drejtimin e Botafogos. Të jesh në pankinën e Brazilit sjell presion të madh, por nëse dikush mund ta përballojë dhe të arrijë rezultate, ai është Ancelotti. Mund ta fitojë Kupën e Botës”.

Vazhdojmë me trajnerët që sjellin rezultate. A është impresionuar nga Conte, që fitoi titullin në sezonin e parë me Napolin dhe tani synon ta përsërisë suksesin? Ja si përgjigjet braziliani: “Napoli po bën mirë, sepse ka një president shumë ambicioz dhe një trajner mjaft të fortë.

Sezoni i kaluar ishte i jashtëzakonshëm dhe ata festuan titullin kampion, por vazhdojnë të investojnë, sepse Interi do të kërkojë të hakmerret. Milani vjen nga një sezon i vështirë dhe tani ka kthyer faqe, me Allegrin shpresoj ta shoh sërish lart”.

The post “Allegri është garanci për Milanin. Ancelotti? Mund ta fitojë Kupën e Botës me Brazilin” appeared first on Telesport.