Zbuluesi i Ronaldos jeton sot në varfëri, pa shtëpi dhe i sëmurë: Gjithmonë ka refuzuar të më ndihmojë…

Në vitin 1985, një Ronaldo shumë i ri ende nuk njihej nga askush. Prirjet e tij të ardhshme si yll futbolli ishin thjesht intuitë e Fernando dos Santos Carvalho, një zbulues talentesh që sapo kishte hyrë në të 20-tat. Ai u përball për herë të parë me atë që do të bëhej “Fenomeni”.

Ishte i pari që i dha mundësinë të luante, duke e aktivizuar në disa miqësore, përpara se të hynte në radarët e futbollit profesionist. Sot, Ronaldo ka një karrierë të papërsëritshme pas vetes, i renditur mes më të mirëve të të gjitha kohërave. Por fati i Carvalho është i ndryshëm dhe shumë më i hidhur. Sot jeton në varfëri ekstreme, pa një shtëpi dhe i sëmurë.

“Kam provuar disa herë t’i kërkoj ndihmë, por gjithmonë ka refuzuar”, – tregon ai. Një histori mosmirënjohjeje ekstreme karshi Fernando dos Santos Carvalho, i njohur si njeriu që zbuloi për herë të parë Ronaldo Nazário, të cilin bota e futbollit e njeh si “R9” apo “Fenomeni”.

Un giovanissimo Ronaldo, all’esordio nel calcio europeo con la maglia del PSV nel 1994

Ish-vëzhguesi tashmë 58-vjeçar, në vitet 1980 drejtonte një shkollë futbolli në lagjen e tij, në Vila Valqueire Tênis Clube, ndërsa në vitin 1984 përzgjodhi Ronaldon për një provë. Në të njëjtën kohë, Ronaldo luante edhe “futsall” në një skuadër tjetër, por si portier, pasi nuk kishte vende në formacion.

Askush nuk i kishte vënë re aftësitë e jashtëzakonshme të atij djaloshi. Tri vite më vonë, kur Carvalho shiti shkollën dhe u transferua te Social Ramos, e mori me vete edhe Ronaldon, duke i dhënë kështu hov karrierës së tij.

Ngjarjet i rrëfen vetë Fernando dos Santos Carvalho, duke kujtuar hapat e parë të karrierës së “R9”: “E ëma ishte kundër, sepse jetonin në një lagje tjetër, por i premtova që do kujdesesha për të. E merrja dhe e ktheja në shtëpi pas çdo stërvitjeje. E shoqëroja gjithashtu edhe për ndeshjet e ‘futsall’. Ronaldo ishte gati të firmoste për Flamengon, por familja nuk kishte para për të paguar transferimin”.

Në fund, falë ndërhyrjes së Jairzinho, golashënuesit më të mirë të Botërorit 1970, Ronaldo kaloi te Cruzeiro për të bërë më pas hapin e madh në Europë. Fillimisht te PSV Eindhoven në vitin 1994, më pas te Barcelona dhe Inter, duke u bërë ikonë botërore.

Deri këtu është historia “zyrtare”, por Carvalho tregon një anë tjetër të fshehur, më reale dhe më e dhimbshme. Ndërsa për Ronaldon u hapën dyert e famës, lavdisë dhe suksesit, për të filloi një makth me sy hapur. I sëmurë dhe pa të ardhura, ai përfundoi shpejt në varfëri të plotë, gjendje në të cilën jeton edhe sot, pa një shtëpi:

“Kam provuar disa herë ta kontaktoj, por pa sukses. Disa vite më parë mora një autobus për në São Paulo për ta takuar dhe për t’i kërkuar ndihmë, por Ronaldo refuzoi, duke i thënë përfaqësuesit të tij se nuk kishte kohë për mua”.

Carvalho tregon se ka bërë gjithçka për të rikthyer kontaktin me Ronaldon ndër vite, duke kërkuar të paktën një shenjë mirënjohjeje për vështirësitë e tij ekonomike dhe shëndetësore: “I kam dërguar mesazhe edhe Renatinho, i cili është drejtori që menaxhon disa prej restoranteve të Ronaldos në Spanjë, me shpresën që të hyja në kontakt me të. Megjithatë, ende po pres një përgjigje…”

The post Zbuluesi i Ronaldos jeton sot në varfëri, pa shtëpi dhe i sëmurë: Gjithmonë ka refuzuar të më ndihmojë… appeared first on Telesport.