Lamine Yamal po shkruan historinë e Barcelonës, duke thyer rekord pas rekordi. Më 29 prill 2023, në moshën 15 vjeç, 9 muaj e 16 ditë, ai u bë lojtari më i ri që debutoi ndonjëherë me ekipin e parë të Barcelonës, në një ndeshje kundër Betis Sevilla. Sot, në moshën 18-vjeçare, ai ka grumbulluar mbi 100 paraqitje me fanellën blaugrana, ka fituar dy tituj kampion, një Kupë Mbreti, një Superkupë e Spanjës dhe Europianin 2024 me përfaqësuesen spanjolle.
Megjithatë, siç zbuloi Jordi Cruyff në një intervistë për “Sport”, debutimi i tij me ekipin e parë të Barcelonës mund të kishte ardhur edhe më herët. Cruyff tregoi se Xavi, një admirues i madh i talentit të Yamal, kishte shprehur dëshirën që ta aktivizonte që më parë, por u ndal nga drejtuesit e klubit për një arsye të qartë: “Ai ishte vetëm 15 vjeç dhe nuk kishte ende një kontratë profesioniste. Po të kishim vendosur ta hidhnim në fushë menjëherë, do ta ekspozonim në treg pa asnjë mbrojtje ligjore”.
Kësisoji, u mor vendimi i përbashkët për të pritur, për ta mbrojtur klubin dhe lojtarin, për t’i garantuar më parë një kontratë të përshtatshme. Barcelona e ka menaxhuar me kujdes këtë pasuri të çmuar teknike dhe njerëzore.
Që nga debutimi, Lamine Yamal nuk ka zhgënjyer: 25 gola dhe 34 asistime me fanellën blaugrana, si dhe 6 gola në 21 ndeshje me kombëtaren spanjolle. I krahasuar tashmë me Lionel Messin, Yamal sot mban fanellën me numër 10 dhe përfaqëson simbolin e epokës së re katalanase. Një diamant për t’u ruajtur, jo me nxitim, por me vizion dhe kujdes.
The post Yamal, talent shumë i hershëm. Cruyff zbulon prapaskenën: Xavi e kishte piketuar që 15 vjeç, por… appeared first on Telesport.