Morata në merkato, vjen përgënjeshtrimi i gruas së tij: Në Stamboll jemi si në shtëpi

A do të rikthehet Álvaro Morata në Itali? Sulmuesi spanjoll, pas aventurës së ndarë mes Milanit dhe Galatasaray gjatë sezonit të fundit, është përfolur së fundmi si objektiv i Como, me mediat turke që raportojnë se një rol të madh në këtë vendim mund të ketë luajtur bashkëshortja e tij, Alice Campello.

Sipas burimeve nga Turqia, zgjedhja për t’u larguar nga Stambolli do të lidhej me angazhimet profesionale të Campello, mes Milanos dhe Madridit, përveç dëshirës për të qenë më afër Italisë. Megjithatë, vetë Alice ka thënë të kundërtën në një intervistë të fundit për revistën “Hola”.

“Stambolli na ka pritur me shumë dashuri. Njerëzit këtu janë të ngrohtë dhe miqësorë, ndihemi si në shtëpi”, – deklaroi ajo, duke përgënjeshtruar në mënyrë elegante çdo hamendësim për një largim të detyruar.

Në të njëjtën intervistë, Campello foli hapur edhe për periudhën e vështirë që përjetoi marrëdhënia e saj me Moratën, duke rrëfyer krizën që kaluan dhe rikthimin e tyre si çift: “E kam ditur gjithmonë që do të riktheheshim bashkë. Jam shumë e sigurt për atë që unë dhe Álvaro kemi. Ne kaluam një krizë personale, secili veçmas, që ndikoi edhe si çift. Sidoqoftë, dashuria nuk mungoi kurrë. Unë mendoj se dashuria gjithmonë fiton”.

Nëse Morata do të rikthehet sërish në Serie A mbetet për t’u parë. Ajo që duket e sigurt është se vendimi nuk do të bazohet në klishe të thjeshta familjare, pasi Alice Campello është treguar mirënjohëse dhe e dashuruar me Turqinë, një vend që, sipas saj, i ka pritur si të ishin në vendin e tyre.

The post Morata në merkato, vjen përgënjeshtrimi i gruas së tij: Në Stamboll jemi si në shtëpi appeared first on Telesport.