Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka reaguar ashpër pas vdekjes së tre punëtorëve brenda një dite, duke e cilësuar situatën alarmante dhe tejet shqetësuese për kushtet e sigurisë në punë në Kosovë.
“Shqetësuese është vet fakti se sot kemi humbur tre jetë punëtorë të sektorit privat të Kosovës. Mund të themi se faktori njeri është deri tek rasti i vdekjeve të punëtorëve,” tha Azemi.
Ai bëri të ditur se e ka vizituar vetë vendin e ngjarjes dhe është tronditur nga ajo që ka parë.
“Realisht, personalisht kam shkuar dhe kam vizituar vendin e ngjarjes, kam fotografuar dhe shikuar me sytë e mi vendin e ngjarjes,” theksoi ai.
Azemi kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë për të ndalur këtë zinxhir tragjedish në vendin e punës.
“Prokuroria ka për obligim të marrë veprime, Policia dhe Inspektorati i Punës po ashtu. Ky vit ka nis si vit i kobshëm,” shtoi ai.
Ai bëri të ditur se edhe sot është shënuar një rast i ri tragjik: “Sot kemi edhe një rast të ri ku një person ka humbur jetën pasi ka pësuar lëndime ditë më parë në vendin e punës.”, ka deklaruar Azemi në RTV Dukagjini.
Ndryshe, një punëtor 65-vjeçar ka vdekur sot në Istog. Ai kishte rënë nga ndërtesa ku punonte para një muaji.
Edhe dy punëtorë të tjerë të ndërtimtarisë kanë vdekur sot në Gjakovë. Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Gjakovës ka njoftuar se dy persona janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të dyshuarit po hetohen në drejtim të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Prokuroria njofton se ndaj tyre do të paraqitet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
The post Azemi: Tre viktima brenda një dite, situata alarmante për sigurinë në punë në Kosovë appeared first on Kosovapost.net.