Çështja Vinícius po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar. Rinovimi i tij me Real Madridin është aktualisht i pezulluar, për shkak të diferencave të dukshme mes kërkesave financiare të brazilianit dhe ofertës që është gati të bëjë klubi i bardhë.
Për më tepër, së fundi kanë qarkulluar raportime se Arabia Saudite po përgatit një ofertë marramendëse për ta transferuar futbollistin Brazilian. Bëhet fjalë për 350 milionë euro dhe një pagë stratosferike. E vetmja e vërtetë në këtë moment është se kontrata e Vinicius skadon në vitin 2027 dhe se rinovimi po hyn në një terren të rrezikshëm, pasi verën e ardhshme do të hyjë në vitin e fundit të “martesës” së tij me madrilenët.
Pikërisht për këtë ka folur në emisionin “El Larguero” ish-lojtari i Real Madridit, Predrag Mijatović, duke paralajmëruar se klubi duhet të marrë “disa vendime shumë të rëndësishme këtë verë”. Ai shton: “Nëse Vinícius, Mbappé apo Rodrygo nuk janë të lumtur dhe nuk ndiejnë mbështetjen e klubit, nuk mund të japin maksimumin e tyre”.
Duke u ndalur më konkretisht te situata e Vinícius dhe oferta e mundshme nga Arabia Saudite, Mijatović bëri një deklaratë domethënëse: “Nuk jam i sigurt nëse tifozët janë ende aq të dashuruar me Vinícius sa ishin dy ose tri vite më parë, apo nëse ai vetë i respekton tifozët njësoj si atëherë”.
Ish-sulmuesi nënkupton se mes brazilianit dhe publikut ka nisur të krijohet një distancë. Nga lojtari i padiskutueshëm dhe kandidat për “Topin e Artë”, Vinícius është zbehur në hije të emrave të tjerë si Mbappé, ndërsa paraqitjet e tij kanë rënë ndjeshëm krahasuar me versionin që tregoi në sezonet e mëparshme.
Larg çështjes Vinícius, Mijatović komentoi edhe situatën sportive te “Los Blancos”, pas humbjes në Kupën e Botës për Klube ndaj PSG-së: “E pashë ndeshjen dhe më habiti rezultati, sidomos nisja e dobët e Realit dhe gabimet e mëdha në fillim. Ishte një goditje e rëndë për të gjithë, përfshirë edhe trajnerin, sepse të shtyn të shqetësohesh”.
Mijatović theksoi se “nuk mund ta bësh rinovimin e skuadrës në vetëm një verë”, teksa fliste mbi nevojën për të zëvendësuar emra si Modrić, Kroos dhe Casemiro. “Na mungojnë lojtarë kreativë në mesfushë, aty ku kemi pasur shumë kreativitet”, – u shpreh ai.
Sa i përket vendosjes së Arda Güler në rolin e organizatorit, Mijatović lëshon një paralajmërim për Xabi Alonson: “T’i japësh turkut rolin që kishte Modrić do të ishte vetëvrasje. Kur Modrić erdhi te Real Madridi, deri në ndeshjen ndaj Manchesterit, dukej sikur nuk po e gjente veten. Te Reali nuk ka durim, por nuk duhet t’i djegim të rinjtë, iu duhet dhënë kohë që të tregojnë çfarë dinë të bëjnë”.
The post Mijatović: Tifozët e Real Madridit nuk janë aq të dashuruar me Vinicius sa dy vite më parë appeared first on Telesport.