Amir Rrahmani, një nga figurat kyçe të Napolit dhe tashmë ndër “senatorët” e skuadrës kampione italiane, flet me realizëm dhe maturi nga grumbullimi veror në Dimaro. I intervistuar nga “Sky Sport”, mbrojtësi kosovar ka reflektuar mbi atmosferën në skuadër dhe fazën përgatitore, duke mos u nxituar me etiketime të mëdha: “Nuk e di nëse ky do të jetë Napoli më i fortë ku kam luajtur ndonjëherë. Koha do ta tregojë, por sigurisht që është një nga më të fortët”.
Rrahmani komentoi edhe intensitetin e stërvitjeve të drejtuara nga Antonio Conte, duke bërë një krahasim me përgatitjet e vitit të kaluar: “Vera e kaluar ishte më e vështirë. Conte nuk ka ndryshuar, stërvitjet janë shumë të forta, i bëjmë çdo ditë. Nuk është e lehtë”.
Sa i përket synimeve për sezonin që po afron, ai është i qartë: “Objektivi ynë është të japim më të mirën në çdo kompeticion”.
Mbrojtësi i Napolit ka dhënë një koment edhe për blerjet e reja të klubit, duke i konsideruar si elementë me peshë dhe përvojë: “Të gjithë janë lojtarë me cilësi të mëdha. Nuk janë këtu rastësisht. Kanë luajtur në klube të rëndësishme. Klubi i ka zgjedhur për një arsye”.
Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen këtë verë është padyshim Kevin De Bruyne, i cili sipas Rrahmanit ka qenë i kujdesshëm para se të merrte vendimin për transferimin: “Ai di shumë gjëra për klubin tonë. Para se të vinte ka pyetur në kombëtare Lukakun. Ka shumë cilësi. Tani duhet të përshtatet me atë që kërkon trajneri Conte”.
Në fund, një koment për partnerin e ri në qendër të mbrojtjes, holandezin Beukema: “Çdo mbrojtës që vjen, përpiqet të komunikojë me partnerin e repartit. Kur e di se çfarë do të bëjë tjetri, është më e lehtë të punosh bashkë”.
Fjalë me peshë nga një lider i heshtur i mbrojtjes, i cili edhe këtë sezon pritet të jetë pikë kyçe në arkitekturën taktike të Napolit të Contes.
The post Rrahmani: A është ky, Napoli më i fortë ku kam luajtur? Koha do ta tregojë… appeared first on Telesport.