Për tifozët kuqezinj, kjo histori është kthyer në një “telenovelë” të pafund. Ardon Jashari dhe Milani duan njëri-tjetrin, prej javësh e ndjekin njëri-tjetrin në distancë. Pengesa kryesore? Club Brugge, i cili vazhdon të qëndrojë i palëkundur në kërkesën e tij prej 40 milionë eurosh, shumë që “Djalli” nuk ka ndërmend ta paguajë.
Tani ka një zhvillim të ri që ndez optimizmin te kuqezinjtë: Jashari nuk ishte grumbulluar nga Brugge për Superkupën e Belgjikës kundër Saint-Gilloise. Një sinjal i fortë që konfirmon se mes lojtarit dhe klubit ka krisje serioze. Që nga fillimi i përgatitjeve, Jashari stërvitet veçmas grupit dhe së fundi ka munguar edhe në fotografinë zyrtare të skuadrës, një tjetër shenjë që e tregon si të “ndarë në shtëpi”.
Marrëdhënia mes Milanit dhe Jasharit është e qartë, dashuri reciproke. Në kampin kuqezi nuk ka asnjë dyshim. Igli Tare dhe trajneri Massimiliano Allegri e shohin mesfushorin e kombëtares zvicerane, të lindur në vitin 2002, si pjesën që mungon për të plotësuar një mesfushë të ndërtuar mbi ekuilibër dhe cilësi, përkrah Modrić, Ricci dhe Fofana.
Oferta e Milanit mbetet e pandryshuar; 32 milionë euro + 6 milionë bonuse. Shifër që në “Casa Milan” konsiderohet më se e drejtë. Brugge, nga ana tjetër, vazhdon të kërkojë 35 milionë euro si bazë fikse dhe 5 milionë në formë bonusesh për të arritur në totalin e kërkuar prej 40 milionësh.
Ndërkohë, tensioni mes Jasharit dhe klubit belg rritet dita-ditës. Është e pamundur të injorohet fakti se lojtari ka shpallur qartë dëshirën për t’u bashkuar me Milanin, ndërsa klubet e tjera të interesuara janë tërhequr sapo kanë mësuar se prioriteti absolut i futbollistit është “Djalli”.
Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, Igli Tare është takuar së fundi me agjentin e Jasharit për të përgatitur një “sulm të ri”, ndonëse pa e rritur ofertën. Brugge, i cili e sheh veten çdo ditë e më shumë me “shpinën pas murit”, do ta ketë gjithnjë e më të vështirë ta mbajë një lojtar të pakënaqur dhe të ikur mendërisht. Milani tashmë ka rifituar besimin dhe finishi duket më pranë se kurrë.
The post Rritet optimizmi për Jasharin te kuqezinjtë, Club Brugge nuk e grumbullon për Superkupën appeared first on Telesport.