Së shpejti bëhen tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut. Dy persona mbesin në paraburgim, ndërkaq Prokuroria, pa treguar detaje, vetëm njoftoi se hetimet po vijojnë.
Ky institucion nuk tregoi as nëse kanë marrë ndonjë raport nga FBI. Ndërsa, hetimet vlerësohet se janë brenda afateve ligjore.
Gati tetë muaj nga sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ende nuk ka aktakuzë lidhur me rastin.
Megjithatë, Prokuroria Speciale nuk tregoi nëse kanë identifikuar të dyshuar të tjerë lidhur me rastin, e as kohën kur mund të përmbyllet hetimi dhe eventualisht të ngritët aktakuzë.
“Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të konstatimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja ndodhet ende në fazën e procedurave hetimore, për momentin nuk mund të ofrojmë më shumë informacione”, ka theksuar Arbnora Luta, Zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Për zbardhjen e rastit, ish-ambasadori amerikan Jeffery Hovenier kishte thënë se “SHBA-ja ka sjellë mbështetjen e FBI-së në Kosovë për të punuar drejtpërdrejtë dhe me kohë të plotë me autoritetet kosovare për të identifikuar përgjegjësit”.
Megjithatë, Prokuroria nuk tregoi nëse kanë marrë ndonjë raport nga amerikanët.
Referuar ndjeshmërisë dhe ndërlikueshmërisë së rastit, me synim një aktakuzë të përgatitur mirë, juristi Ardian Bajraktari tha se hetimet janë brenda praktikave dhe kufizimeve ligjore.
Në rastin tjetër, për sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, më 24 Shtator 2023, hetimet para ngritjes së aktakuzës ndaj Milan Radojçiqit dhe 44 të tjerëve kishin zgjatur një vit të plotë.
The post Tetë muaj nga su*lmi në Ibër Lepenc – dy persona në paraburgim, prokuroria vijon hetimet appeared first on Kosovapost.net.