Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për një javë jashtëzakonisht të nxehtë, që do të zgjasë nga e hëna deri të premten, 21-25 korrik.
Sipas njoftimit zyrtar vendi do të ndikohet nga masa të ajrit shumë të nxehtë dhe të thatë të ardhura nga Afrika Veriore, konkretisht nga rajoni i Saharasë.
“Një presion i lartë atmosferik i vendosur në pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut ka krijuar kushte për rrjedhën e një mase ajrore subtropikale kontinentale nga shkretëtira e Saharasë drejt gadishullit Ballkanik,” thuhet në komunikatën e IHMK-së.
Ky fenomen, i njohur si valë e të nxehtit veror, do të karakterizohet nga temperatura shumë të larta që pritet të tejkalojnë vlerat mesatare për këtë periudhë.
Përveç rrezikut për shëndetin publik, situata meteorologjike sjell edhe pasoja për mjedisin dhe bujqësinë.
“Zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore,” thuhet më tej në njoftim.
IHMK gjithashtu paralajmëron për nivel të lartë të indeksit UV, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin direkt në diell, sidomos gjatë intervalit kohor nga ora 09:00 deri në 17:00.
“Moshat e shtyera, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuara,” theksohet në komunikatë, me një apel për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve për shkak të mundësisë së goditjeve nga të nxehtit dhe dehidratimit./
The post Vapa afrikane godet Kosovën – temperaturat mbi normalen, rrezik për shëndetin dhe mjedisin appeared first on Kosovapost.net.