Janë vetëm edhe gjashtë ditë dhe tri seanca, për përcaktimin përfundimtar nëse legjislatura aktuale e Kuvendit të Kosovës do të konstituohet apo jo. Derisa numërimi prapa ka filluar, kryetari i VV-së Albin Kurti ka nisur ta ndiejë presionin Kushtetues. Ai ka nisur të zhvillojë takime me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj, parti kjo që ka vetëm tre deputet në Kuvend, raporton Periskopi.
Burime të Periskopit bëjnë të ditur se deputetëve të VV-së, iu ka ardhë një thirrje nga ‘lartë’, që në seancën e 50-të konstituive, ”nuk duhet askush të nungojë”.
Thirrja vjen pas takimit të djeshëm të Kurtit me Limajn – takim që rezultoi i pasuksesshëm anipse zgjati rreth dy orë.
Tema kryesore e diskutimit në takimin e djeshëm ishte arritja e një marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit. Ndërkaq, pozita e kryetarit të Kuvendit nuk ka qenë fare pjesë e bisedimeve.
Kuvendi të shtunën dështoi për herë të 49-të në konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka nxjerrë vendim ku obligon deputetët që deri më 26 korrik të konstituojnë legjislaturën e nëntë, mirëpo nuk ka përmendur nëse pasojë e kësaj janë zgjedhjet e reja.
VV ka numrat – me ndihmën e PDK-së – për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, por kërkon vetëm një zgjidhje: votim të fshehtë për Albulena Haxhiun. Që nga nisja e këtij ngërçi, në seancat e dështuara për më shumë se tre muaj, qëndrimet nuk kanë ndryshuar.
Tashmë Kushtetuesja ka pranuar lëndë të re në lëndën e vjetër, ku i kërkohet gati se të vizatojë se çfarë ka thënë: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i janë drejtuar në të njëjtën linjë.
PDK ka kërkuar katër pika të saktësohen deri në paekuivokizëm:
Të shpallet vendimi i Kuvendit për Komisionin për Votim të Fshehtë si jokushtetues.
Të shpallet ndërprerja e seancës si jokushtetuese.
Të urdhërohet vazhdimi i seancës konstituive me votim të hapur, sipas praktikave të mëhershme.
Të konstatohet se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit nuk çon automatikisht në zgjedhje të reja.
PDK argumentoi se Aktgjykimi i 26 qershorit 2025 i Gjykatës ndaloi ndryshimin e rendit të ditës të seancës konstituive dhe hodhi poshtë të ashtuquajturin Komision për Votim të Fshehtë.