Policia e Kosovës ka realizuar edhe një herë me sukses operacionet e saj.
Ajo ka arrestuar Fatmir Shalën nga fshati Zhakovë, pasi i njëjti pasdite ka sulmuar drejtorin e Shërbimeve Publike në Komunën e Istogut, Enver Rugovën.
Sulmin ndaj tij, për Indeksonline e ka konfirmuar vetë drejtori Rugova.
Ai ka thënë se është sulmuar nga një person që e njeh mirë dhe dyshon se mund të mos jetë mirë psiqikisht.
“Po, është e vërtetë se ka patur sot sulm ndaj meje. Arsyeja ka qenë për shkak se komuna nuk i ka bërë favor personit në fjalë. Kërkesa e tij ishte e vonshme pasi që ai kërkonte kanal të bartjes së ujërave atmosferike. Kontrata është nënshkruar para 1 jave dhe nuk kemi arritur të kryejm atë shërbim. Bëhet fjalë për personin e quajtur Fatmir Shala, nga fshati Zhakovë. E njoh mirë personalisht, poashtu kemi edhe një lidhje të largët familjare. Momentin kur jam sulmuar isha me një koleg duke dalur nga puna kur më ka sulmuar. Gjithçka ka përfunduar me lëndime të lehta trupore”, tha ai.
Policia ka qenë në vendin e ngjarjes, ka ardhur me shpejtësi dhe po merret me rastin. Sulmuesi ka qenë me një veturë të modelit Audi A6, më duket me tabela të huaja. Shtëpinë e tij dy herë e kemi vizituar me komision komunal. Kam njohuri se ka kushte të mira, por dyshoj nëse është mirë psiqikisht” ka thënë Enver Rugova.
Drejtori Rugova është vëllau i deputetit të LDK-së, Naser Rugova.